Transmetuar më 18-09-2023, 11:29

Policia ka arrestuar dy drejtuesit e automjeteve që shkaktuan vdekjen e pacientit një ditë më parë në aksin Fier-Lushnje.

Dashamir Koçaj 77 vjeç, ka humbur jetën gjatë kohës që po transportohej me ambulancë për në Tiranë për ndihmë mjekësore. Ngjarja ndodhi në kryqëzim të autostradës Lushnjë-Fier, në vendin e quajtur “Rotondo e Savres”.

Një kamion i drejtuar nga 31-vjeçari Leonard Gjini është përplasur me ambulancën e cila ishte duke transportuar 77-vjeçarin në Tiranë.

‘Mjeti tip kamion “ICECO” me targa AA288UR me drejtues mjeti Leonard Gjini i datëlindjes 08.03.1992 është përplasur me mjetin tip “Ford” me targa AB883CF (ambulanca), me drejtues shtetasin Flori Ramo, citon policia.

Sot policia informon se ‘në vijim të veprimeve procedurale të kryera për aksidentin e ndodhur ditën e djeshme, në aksin rrugor “Lushnjë-Fier”, me pasojë vdekjen e një pacienti që po transportohej me autoambulancë, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan 2 drejtuesit e automjeteve (kamion dhe autoambulancë) të përfshirë në këtë aksident, shtetasit L. Gj., 31 vjeç dhe F. R., 54 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme’.