Transmetuar më 18-09-2023, 10:54

TIRANE -Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet në lidhje me krimin e ndodhur më 9 shtator 2016 në një lokal në Rrëshen.

Dorjan Keqi, u arrestua gati 1 vit më parë si bashkëpuntor në vrasjen e ish-drejtorit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit në Energjisë Elektrike për Veriun Saimir Jaku.

Ai do të përballet në gjykatë me akuzën “vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, si dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Ashtu si dhe gjatë momentit të arrestimit, Keqi ka mohuar sërish që të ketë lidhje me ngjarjen, por organi i akuzës pretendon se ka arritur të provojë bashkëpunim e tij në këtë krim.

Ish-drejtori i OST-së për Veriun, Saimir Jaku, u ekzekutua më 9 shtator të vitit 2016. Ai u sulmua me breshëri automatiku nga dy persona, teksa po pinte kafe në një lokal në Rrëshen bashkë me një mikun e tij i cili nga të shtënat mbeti i plagosur.

Autorët e ngjarjes të cilët mendohet të kenë qenë 3 persona mes të cilëve dhe Dorjan Keqi, arritën të largohen me një automjet tip “Benz”.

Ashtu si në plot raste të tjera tipike mafioze, edhe pas kësaj ngjarjeje, makina u gjet e djegur në një fshat në zonën e Laçit, Kurbin, jo larg vendkrimit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd