Transmetuar më 18-09-2023, 09:58

Në Shkodër, një zbulim shqetësues është bërë sot në një banesë ku gjendeshin dhjetëra kallëpë tritoli dhe armatim.

Zbulimi u bë nga operacioni policor i koduar “Konglomerat” dhe u sekuestruan dhjetëra kallëpe me lëndë shpërthyese tritol, armë zjarri, granata, ndezës granatash dhe fitil zjarrpërcjellës.

Gjon Marashi, 68 vjeç, poseduesi i tyre, në momentin e ndërhyrjes nga policia u kap në flagrancë duke u kujdesur për 120 bimë narkotike që kishte kultivuar në afërsi të banesës së tij, raporton noa.al.

Aksioni u krye në fshatin Gimaj, njësia administrative Shalë, ku shërbimet e policisë vunë në pranga 68-vjeçarin Gjon Marashi.

Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, 31 kallëpe tritoli, 110 metër fitil zjarrpërcjellës, 18 granata dore dhe 13 ndezës të unifikuar.

Në vijim të veprimeve procedurale, shërbimet e Policisë asgjësuan me anë të djegies, 120 bimët narkotike të kultivuara në afërsi të banesës së 68-vjeçarit, përveç një pjese që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Policia tha se po vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd