Transmetuar më 18-09-2023, 08:51

Sot, Kategoria Superiore rezervon një supersfidë. Është pak a shumë si një finale e Superkupës së Shqipërisë, sepse do të përballen kampionët e vendit dhe fituesit në fuqi të Kupës së Shqipërisë. E thënë ndryshe, Partizani-Egnatia.

Ndeshje që do të startojë prej orës 18:00 në “Arena e Demave” dhe ngërthen interes të madh jo vetëm të dy tifozërive respektive, por edhe të opinionit më të gjerë futbolldashës në Shqipëri. Trajneri Zoran Zekic foli në konferencën për shtyp, ku e cilësoi Egnatian rivalin më të vështirë deri tani, në sfidat e luajtura për kampionatrin e ri.

Kalendari i ngjeshur…

Nuk mendoj se do të jetë problem për ne, pasi çdo herë kemi të njëjtin ritëm. Kemi luajtur 7 ndeshje në 24 ditë, por mendoj se jemi përgatitur për të gjitha.

Si është gjendja e skuadrës?

Kemi ende me probleme Mensah. Mba sapo ka filluar të punojë, por nuk është 100% gati. Da Silva është akoma jashtë. Këto janë problemet qe kemi. Janë gjëra që ndodhin në futboll dhe ne nuk kemi çfarë të bëjmë.

Janë luajtur 3 javë nga kampionati i ri. Cili është mendimi juaj për futbollin shqiptar?

Në Kroaci është një favorit shumë i madh si Dinamo e Zagrebit. Mendoj se në kampionatin shqiptar situata nuk është e tillë. Çdo ndeshje është një luftë e madhe. Ky është mendimi im i parë për futbollin shqiptar, por duhet të më jepni pak kohë.

Egnatia, një rivale për titull?

Eshtë një skuadër me buxhet të mirë, trajner të mirë, staf dhe lojtarë të mirë. Do të përballemi më një kundërshtar serioz, ndaj duhet të përgatitemi për këtë seriozisht. Por e theksoj, për ne çdo ndeshje është e rëndësishme. Sapo ka filluar kampionati dhe duam të luajmë mirë në vazhdimësi, të marrim sa më shumë pikë të jetë e mundur.

Rivali më i fortë për titull?

Tirana është një skuadër shumë e mirë. Luajtëm me Vllazninë, edhe ajo është skuadër mjaft e mirë. Po ashtu edhe Laçi kishte një skuadër mjaft serioze. Skënderbeu i rikthyer në Kategorinë Superiore po bën mjaft mirë. Do të shohim, kampionati sapo ka filluar. Ka shumë kundërshtarë të fortë, mendoj se për këtë gjë duhet të flasim pas 15 ndeshjeve të para.

A jeni i kënaqur me paraqitjen e skuadrës në Shkodër?

Sigurisht që jam i kënaqur, luajtëm për 80 minuta me një lojtar më pak. Ndonjëherë duhet të jesh i përgatitur gjatë javës edhe për situata të tilla. Dua të them se skuadra ime luajti mjaft e disiplinuar, shumë kompakte. Patëm 2 -3 raste shënimi, por nuk mundëm të gjenim golin dhe ky është problemi ynë. Shpresoj dhe duhet të jemi më efektivë.

A është Egnatia, kundërshtari më i fortë që do të përballeni?

Po, deri tani mendoj se po. Eshtë një skuadër serioze, mjaft agresive dhe me lojtarë cilësorë.

Kur mund të shohim Partizanin më të mirë të Zekiç?

Natyrisht që shpresoj ta shohim sa më shpejt, por ju e dini që Partizani më i mirë do të jetë kur të kemi kontigjentin e plotë. Kemi patur një kohë mjaft të shkurtër për t’u përgatitur, lojtarët nuk kanë patur kohë të pushojnë pas sezonit të kaluar. Mjaft lojtarë duhet të bëjnë akoma më shumë progres dhe të luajnë më mirë, kjo është shpresa ime e madhe.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd