Transmetuar më 18-09-2023, 08:43

Në prag të ndeshjes ndaj Kukësit, e vlefshme për javën e katërt të Superiores, Orges Shehi foli para mediave.  Trajneri bardheblu bëri prognozën e transfertës verilindore, duke e vlerësuar maksimalisht:

“Do të luajmë përballë Kukësit, që më sa kam memorie, është hera e parë që ndodhet në këtë pozitë. Ka qenë gjithmonë skuadër që ka tentuar që te jetë në majat e renditjes. Kukësi ka bërë në ndeshjen e fundit një paraqitje të mirë me Dinamon, edhe për meritë të trajnerit, sepse tani ka një trajner me eksperiencë të madhe në futbollin shqiptar.

Ai di ta vendosë skuadrën mirë dhe të marrë më të mirën. Kjo na e shton shkallën e vështirësisë, ndaj duhet të jemi të bindur që nuk luajmë përballë një kundërshtari me 0 pikë, por ndaj një kundërshtari që kërkon pikë që të ngjitet në renditje.

Ritëm ndryshe për shkak të formulës? Jam shprehur edhe më parë që ndoshta pak ai emocioni, ndoshta nuk ka qenë si në kampionatet e kaluar. Një skuadër që formatohet mirë dhe ka elementë është pretendente, mund të ketë pak heqje këmbe nga gazi, pasi thotë që i katërti mbërrij.

Ne nuk duam që kjo të ndodhë me ne, edhe pse është formati që katër të parat luajnë me njëri-tjetrin dhe renditja nuk ka rëndësi të madhe. Ne kërkojmë të jemi gjithmonë siç i ka hije këtij klubi, që të luftojmë për çdo ndeshje.

Lulaj u rikthye që javën e kaluar dhe është pjesë e skuadrës. Na mungon ende Deliu për arsye dëmtimi, shpresojmë të kthehet sa më shpejt. Nga çfarë thonë mjekët, pas ndeshjes me Kukësin do vazhdojë të jetë me grupin. Është një vlerë që na shtohet në skuadër.

Mendoj se nga java në javë, Tirana do të vijë në rritje, sikurse ndodh me të gjithë. Jo të gjitha skuadrat kanë formën më të mirë në fillim, forma dhe performanca rritet, sepse ndeshjet të japin vazhdimësinë. I tillë është kampionati, jo që në fillim jepet më e mira.

Shpresojmë të na ecë në këtë drejtim edhe për shkak të ngjeshjes së ndeshjeve në këtë periudhë, të mos kemi dëmtime, pra grupin ta kemi të plotë, që të mund të bëjmë rotacion në skuadër. Hoxhallari është i sigurt që kthehet, nga dje ka punuar me skuadrën. Ndërsa për Najdovskin klubi po punon, të të shohim a do të jetë i gatshëm pas pezullimit apo jo.

Ne kemi një miks lojtarësh në stol, të paktën herën e fundit kishim 2-3 lojtarë me eksperiencë, por edhe të rinj. Ajo situata e pezullimit të Najdovskit na bëri të improvizojmë pak në mbrojtje me Përgjonin në qendër e Micin në krah.

Por në një kampionat të gjatë, për një ekip është normale që të ketë 16-17 lojtarë të përafërt me njëri-tjetrin, që rendimenti të mos bjerë. Dhe sigurisht, kur ke rezultatin dhe mundësinë, mund të futësh ndonjë element të ri, se është më mirë të marrin gradualisht eksperiencë se të bijë përgjegjësia mbi ta.

Edhe pse jemi skuadër e re, përballë dy kundërshtarësh të fortë në Europë jemi paraqitur mirë. Pastaj, e mira nuk ka fund. Por në këto 3 javë kemi shënuar 8 gola, nuk është keq.

Sigurisht ka disa problematika të vogla për t’u zgjidhur dhe shpresojmë që i përmirësuam pak në këtë ndeshje edhe pse pësuam gol aksidental në fillim të lojës. Por nuk kishim ato problematika që kemi pasur në dy ndeshjet e para".