Transmetuar më 16-09-2023, 18:55

Rudina Dervishi, gazetarja dhe drejtuesja e njohur prej shumë vitesh e emisionit televiziv "Ditari" të Zërit të Amerikës, u nda nga jeta të martën, më 12 shtator, në moshën 53-vjeçare, pas një beteje dyvjeçare me kancerin e gjirit.

Ikja e saj e parakohshme, është një humbje e madhe për familjen dhe për kolegët e saj të Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës dhe kolegët e tjerë të medias.

Për më shumë se 25 vjet, Rudina dha një kontribut të çmuar me profesionalizmin e saj si një gazetare e apasionuar, duke mbuluar tema të shumëllojshme nga ekonomia, politika, të drejtat e njeriut dhe të gruas, e deri tek arti.

Kolegët e saj të Zërit të Amerikës, thonë se do ta mbajnë mend Rudinën për mprehtësinë, dinamikën, humorin dhe përkushtimin e saj.

Ajo la pas bashkëshortin, tre djemtë dhe nënën.

Gazetari Bes Jacaj, shkruan:

Para disa muajsh, i pata shkruar për një intervistë koleges së Zërit të Amerikës, Rudina Dervishi dhe nuk mora përgjigje.

Kishim komunikuar disa herë dhe e dija që diçka nuk shkonte. Nuk kishte kurrsesi mundësi që ajo të ishte mirë dhe të mos i ndihmonte gazetarët këtu në Shqipëri.

Pak kohë më vonë, ajo u shfaq në ekran me një paruke që i mbulonte rrejshëm kokën flokërënë nga lufta me sëmundjen që i paska marrë jetën.

Pak. Nja dy-tre ditare televizive, sepse Zoti kishte vendosur që ajo ta mbylle tmerrësisht shpejt ditarin e jetës.

Një gjë është e sigurt. Lajmet e Amerikës nuk do të “këndohen” më nga askush si prej saj!

Gazetari Elez Biberaj, shkruan:

Lamtumire Rudina Dervishi! Thellesisht i pikelluar nga humbja e parakoheshme e koleges se dashur dhe bashkepunetores se ngushte, Rudina Dervishi. U prehte ne paqe.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd