Transmetuar më 16-09-2023, 14:15

Gëzim Lazri 56 vjeç është efektivi i policisë në Komisariatin e Mirditës i cili humbi jetën mëngjesin e sotëm në një aksident në Rrugën e Kombit pranë Rubikut.

Ai po udhëtonte me një mjet tip Benz dhe sapo kishte mbyllur shërbimin e po kthehej në shtëpi kur u përplas nga mjet tip Chevrolet me të cilin udhëtonte një malazez me inicialet M.F.

Drejtuesi nga Mali i Zi ka bërë një parakalim të gabuar duke i marrë jetën policit shqiptar. Ai ndodhet i shtruar në spital për ndihmë mjekësore.

Policia njoftoi se ‘rreth orës 07:20, në aksin rrugor Rrëshen-Rrubik, automjeti tip “Chevrolet” me drejtues shtetasin malazez M. F., është përplasur me automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin G. L. 56 vjeç, (efektiv policie pranë Komisariatit të Policisë Mirditë i cili sapo kishte lënë shërbimin dhe po kthehej në banesë).

Si pasojë e këtij aksidenti, ka humbur jetën punonjësi i policisë shtetasi G. L. Ndërsa drejtuesi i automjetit tjetër shtetasi M.F., ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.

Paraprakisht, dyshohet se shkaku i aksidentit rrugor ka qenë parakalimi i gabuar në shkelje të rregullave të qarkullimit i automjetit tip “Chevrolet” që drejtohej nga shtetasi M.F.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe nën drejtimin e Prokurorit, vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.