Transmetuar më 16-09-2023, 10:17

Lorik Cana bën prognozën e Juventus-Lazio, supersfidës që do të luhet sot në Serie A, dhe kthehet menjëherë pas në kohë. Sepse “luftëtari” u përball me bardhezinjtë, gjithmonë me vendosmërinë e tij proverbiale. Ai e di se kur përballesh me realitete të caktuara, marzhi i gabimit është i barabartë me zero.

Sigurisht, në atë kohë ishte një tjetër Juventus, por edhe tani skuadra bardhezi duhet trajtuar me gjithë vëmendjen e nevojshme. Ish-kapiteni i Shqipërisë, megjithatë, sheh një Lazio më të zhvilluar, si kombëtaren e tij në krye të grupit kualifikues të “Euro 2024”. Janë shumë tema që Cana i ka analizuar ekskluzivisht në “Tag24.it”.

Lorik, sot është dita e Juventus-Lazio. A do të jenë në gjendje bardhekaltrit ta thonë fjalën e tyre?

Absolutisht që po, Lazio është një skuadër që po dëshmon vazhdimësinë e rritjes së sezonit të kaluar. Ajo po tregon se është edhe solide, edhe e aftë për të luajtur në mënyra të ndryshme, di të mbrohet dhe të shfrytëzojë mirë kundërsulmin. Më pëlqen që di të luajë në mënyra të ndryshme, e tregoi në Napoli. Vuajti në pjesën e parë, por nuk u mërzit. Nëse luan me këtë mentalitet, mund të thotë fjalën e vet.

Çfarë gjëje duhet t’i kushtojë vëmendje Lazio?

Ambientit të Juventusit. Skuadra bardhezi nuk është më ajo që fitonte titullin e Serie A që në shkurt, por gjithsesi mbetet e fortë dhe e rëndësishme, pavarësisht rezultateve të përziera të viteve të fundit. Sidomos këtë sezon mund të jetë shumë e rrezikshme, duke qenë se do të ketë më pak presion mbi supet e saj, duke pasur parasysh mungesën në kupat evropiane. Pres një ndeshje të vështirë për Lazion.

A mund të rëndojë rasti i Pogba në performancën e Juventusit?

Nuk do të ndikojë në performancën e skuadrës bardhezi, ndërsa në planin afatgjatë mund të jetë problem. Pogba është një kampion, një fenomen i vërtetë, një lojtar që edhe nëse nuk është 100 për qind, bën diferencën. Situata e dopingut? Episod i çuditshëm, më vjen vërtet keq për të.

Duke u kthyer te Lazio, a mendoni se Champions League mund të rëndojë në kampionat?

Sigurisht që do t’i marrë më shumë energji, por ky angazhim e bën Lazion të përkufizohet si skuadër e madhe. Është aftësia për të konkurruar në të dyja frontet, Lazio shpesh nuk ka arritur ta bëjë këtë. Të kesh një garë europiane në mes të kampionatit rëndon përgatitjen, por një skuadër e madhe nuk duhet ta ketë këtë lloj problemi.

A mund ta kalojë pengesën në sezonin e ri?

Mund ta bëjë këtë, sepse ka shtuar lojtarë në skuadër, ka më shumë zgjedhje. Por është mirë të kujtojmë se në Champions League nuk ka ndeshje të lehta, çdo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe askush nuk duhet nënvlerësuar.

A do të kishit dashur të ishit trajnuar nga Sarri?

Do të më pëlqente, e njoh pak si person, por nga pikëpamja taktike mendoj se është gjithmonë mirë të stërvitesh nga njerëz që janë kaq të përgatitur dhe që jetojnë me futbollin.

Si njëfarë Sylvinho, i pari në grupin kualifikues për “Euro 2024” me Shqipërinë tuaj…

Fitorja ndaj Polonisë e vendosi Shqipërinë në një pozicion të shkëlqyer. Ka një staf të mirë, të ri, me bazë lojtarësh që luajnë në Serie A. Dhe luajnë shpesh në klubet e tyre, jo vetëm në stol. Kjo jep siguri. Sylvinho pati një impakt të çmendur, punoi mirë me një grup të përbërë nga eksperienca dhe rinia. As grupi kualifikues nuk është shumë i vështirë dhe Shqipëria është e para. Sidoqoftë, kanë mbetur edhe tri ndeshje dhe ato do të jenë vendimtare. Pavarësisht mungesës së eksperiencës, kjo kombëtare është më e re, por me një vlerë të rëndësishme teknike që e lejon të rritet. Për më tepër, vihet në dispozicion për dashurinë e popullit dhe këtë e ndjejnë fansat, duke dhënë gjithë mbështetjen e tyre.

A mund të hapet një cikël me Sylvinhon?

Të paktën për katër vitet e ardhshme po, pastaj do të shohim në të ardhmen. Fakti është se ai u identifikua në mënyrë perfekte me realitetin e Shqipërisë, iu përkushtua në mënyrë perfekte kauzës. Shpresoj të vazhdojë kështu.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd