Transmetuar më 16-09-2023, 09:42

Me përfundimin e pushimit të kampionateve kombëtare për shkak të kualifikueseve të kombëtareve, Juventusi rikthehet në fushë për javën e katërt të Serie A. Lazio e Maurizio Sarri mbërrin në “Allianz Stadium”. Trajneri Allegri e prezantoi sfidën në një konferencë për shtyp.

Fillimisht deshi t’iu përgjigjet deklaratave të ish-mbrojtësit bardhezi për 11 sezone: "Bonucci? Mendoj se nuk kam asgjë për të thënë, nuk kam asgjë për të shtuar. Mund t’i uroj vetëm fat në karrierën e tij. Telenovelat jepen në ‘Canale 5’ dhe unë nuk jam shumë i pasionuar pas tyre.

A më bezdis të quhem gënjeshtar? Miqtë më quajnë ‘Pinocchio’. Bonucci nuk krijoi luftë të brendshme në dhomat e zhveshjes. U mor një vendim normal, tani ka shkuar në një ekip që luan në Champions League, do të jetë gjithashtu i rëndësishëm në aspektin motivues".

Allegri foli edhe për rastin Pogba, që doli pozitiv në testin e parë anti doping: "Jam i zhgënjyer për situatën e tij, por nuk mund të shtoj asgjë. Është e drejtë të presim përfundimin e procedurave. Ne duhet të përqendrohemi në ato që kemi.

Pogba u kthye si një 30-vjeçar te Juventusi, pësoi dëmtim, bëri të gjitha përpjekjet për t’u paraqitur mirë, por për fat të keq për momentin gjërat nuk kanë shkuar si duhet. Ai është ende një lojtar ndryshe nga të tjerët”.

Trajneri shprehu mendimin e tij për gjendjen e Chiesa, pas dëmtimit në kombëtare: "Ka shumë mundësi që të luajë nga fillimi ndaj Lazios, është rikthyer. Ka kaluar ditë duke u rikuperuar. Locatelli bëri shumë mirë në kombëtare, kemi nevojë për të”.

Së fundi, trajneri bardhezi u fokusua te ndeshja ndaj bardhekaltërve kryeqytetas: "Lazio ka shumë teknikë, lojtarë të shpejtë, që luajnë në zona të ngushta. Janë shumë të aftë në kundërsulm. Në përplasjet e drejtpërdrejta, detajet bëjnë diferencën.

Duhet të marrim rezultat pozitiv dhe të luajmë si ekip. Është një sezon i rëndësishëm për ne, në të cilin ka mjaft vështirësi që të futemi në top 4. Lazio është rivali ynë direkt për Champions League, por kampionati është i gjatë dhe duhet të përgatitemi ndeshje pas ndeshjeje. Do të ketë momente të vështira dhe më pak të vështira”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd