Transmetuar më 15-09-2023, 11:24

Mbrojtësi shqiptar i Romës, Marash Kumbulla, vijon rehabilitimin pas dëmtimit të rëndë, që do ta mbajë në total thuajse një sezon të tërë jashtë fushave të blerta. Një goditje e madhe kjo për karrierën e lojtarit të talentuar, por edhe kombëtaren shqiptare, ku ishte titullar i padiskutueshëm.

Megjithatë, bashkëlojtarët kuqezinj po zhvillojnë një fushatë eliminatoresh mbresëlënëse për “Euro 2024”, duke qenë për momentin në krye të grupit E, me 10 pikë, para rivalëve të tillë si Republika Çeke dhe Polonia. Kumbulla i ka shijuar nga distanca këto suksese, duke shpresuafr në kualifikimin në finalet e “Euro 2024”. Me siguri për atje do të jetë gati. Ai ka dhënë një intervistë për “Savoirsport”, ku ka folur për kombëtaren e tij, Shqipërinë.

Cilat janë shanset tuaja për të kaluar në finalet e Europianit të Gjermanisë, vitin tjetër?

Ne kemi një shans të mirë, e kemi filluar shumë mirë. Kemi një ekip të ri, por edhe me lojtarë me përvojë. Shpresoj që bashkëlojtarët e mi ta bëjnë këtë ëndërr realitet.

A keni pasur mundësi të takoni trajnerin e ri? Si ju është dukur?

E takova në ndeshjen e parë kundër Polonisë, më la përshtypje të mirë. Ai është një trajner karizmatik dhe pozitiv, transmeton besim dhe dëshirë për të konkurruar me të gjithë.

A ka ndonjë nga shokët tuaj të kombëtares që mund të arrijnë nivele shumë të larta?

Asllani dhe Broja janë dy djem të rinj. Ka edhe të tjerë, por mendoj se ata të dy kanë një të ardhme të mirë përpara.

Si e shihni të ardhmen e kombëtares shqiptare në planin afatgjatë?

Jemi në një pikë të lartë të historisë sonë, mund të konkurrojmë me të gjithë. Kjo përzierje e përvojës dhe të rinjve do të na lejojë t’i arrijmë qëllimet tona.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd