Transmetuar më 15-09-2023, 11:01

Gerry Cardinale është pronar i Milanit prej vetëm një viti, si përfaqësues i “Elliott”. Një personazh pak i njohur për shumicën, i cili megjithatë po spikat me proaktivitetin e tij dhe metodat inovative të menaxhimit të klubit milanez. Cardinale dha një intervistë për “Corriere della Sera”, në të cilën foli për veten dhe ambiciet e tij.

Cardinale, imazhi i parë që pamë prej jush, një vit më parë, ishte një foto në të cilën ndodheshit në ‘Piazza Duomo’, përzier me fansat, duke festuar titullin. Pse shkuat atje dhe çfarë kuptuat nga ajo përvojë?

Në realitet ne kishim përcaktuar tashmë gjithçka, por kishim vendosur që të mos e bënim publike para ndeshjes së fundit, për të mos ndërhyrë. Ka një histori që askush nuk e di: babai më dërgonte në Itali kur isha fëmijë. Isha këtu në vitin 1982, kur fituat Kupën e Botës. Shikoja Franco Baresi, Daniele Massaro, Paolo Rossi, kisha posterin e tyre në dhomën time. Do të më duhet të flas për këtë me Franco dhe Daniele. Në një fshat të vogël në provincën e Salernos, Santa Maria di Castellabate, festova me fansat në rrugë. Isha 15 vjeç dhe nuk kisha pasur kurrë një përvojë të tillë, prandaj shkova në ‘Duomo’. Ishte si duke rindjekur një moment shumë të fortë emocionalisht; një ndjesi shumë intime. Ajo fotografi zbulon pasionin tim, por jo emocional, ka një ndryshim.

Shpjegoje…

Emocionet iu përkasin tifozëve, përgjegjësia ime kërkon që të vetëdisiplinohem. ‘Curva Sud’ është fantastike, tifozët janë partnerët tanë, pjesë e trashëgimisë kulturore të klubit. Këtu ka një komunitet të tyre, në Amerikë është ndryshe.

Pse zgjodhët Milanin?

Unë gjithmonë kam menduar se është një nga 4-5 klubet më të mira në Evropë. Jemi këtu falë asaj që bënë paraardhësit tanë, Silvio Berlusconi, Gianni Rivera para tij, Sacchi, Baresi, Maldini…

Çfarë përfaqëson Berlusconi për ju?

Kam respekt të jashtëzakonshëm, ai ishte një vizionar i madh, rezultatet flasin për të. Berlusconi e çoi Milanin në krye, pastaj ishte e vështirë të vazhdonte sepse bota po ndryshonte, me një evolucion të fortë në përdorimin e përmbajtjes dhe teknologjisë. Ky është një mësim i madh, nuk mund të pushosh kurrë, të flesh mbi dafina. Është e njëjta gjë që mësova te Goldman Sachs. Çdo vit takoheshim për të shqyrtuar rezultatet, ishim gjithmonë të parët, por po të na kishe parë do të kishe menduar se ishim të fundit në gjithçka, sepse ne analizuam çdo biznes dhe vlerësuam se si mund të bënim më mirë.

Ju thatë se klubet e futbollit janë pjesë të pronësisë intelektuale, që kanë të drejtën legjitime për t’u monetizuar. Çfarë do të thotë?

Klubet e futbollit janë krijues të përmbajtjes dhe si të tilla zotërojnë pronën intelektuale. Është një potencial i madh për t’u zhbllokuar, për të kuptuar vlerën e tyre të vërtetë. Fillova më shumë se 20 vite më parë, kur sporti konsiderohej një hobi për të pasurit. Me George Steinbrenner New York Yankees ne krijuam ‘Yes Network’ nga e para, tani është rrjeti sportiv rajonal numër 1 në Amerikë. Gjëja që më pëlqen në lidhje me pronësinë intelektuale është se është elastike, kapërcen krizat financiare dhe pandemitë, por kërkon punë të vazhdueshme. Teknologjia vazhdon të ndryshojë dhe fansat duan gjithnjë e më shumë ta ‘konsumojnë’ përmbajtjen në një mënyrë tjetër: përmes kabllove, transmetimit, përmes rrjeteve sociale. Nuk mjafton të paraqitesh me para dhe të blesh. Sot të gjithë kanë para, duhet të kesh ide novatore dhe një plan.

A jeni i kënaqur me vitin e parë në Milano?

Unë nuk kam bërë asgjë akoma. Hyra këtu në majë të gishtave, mora përsipër organizatën e trashëguar. Për më tepër, kam respekt të madh për Paolo Scaronin, të zgjedhur nga ‘Elliott’, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer dhe të cilin e falënderoj. Ai është shumë i qëndrueshëm dhe në të njëjtën kohë kaq milanez e autoritar. Një nga lëvizjet e mia më të mira ishte sjellja e Giorgio Furlani (CEO) dhe Stefano Cocirio (drejtor financiar) në Milano. Ky është sezoni i parë në të cilin kam punuar në tregun e transferimeve, në projektin e stadiumit dhe kemi filluar të aplikojmë idetë tona për të përmirësuar markën.

Ju përmendët ‘Elliott’. Të gjithë e dinë që ‘RedBird’ u financua nga një hua për blerjen. Siç e dini, kjo ka krijuar shumë thashetheme. Kjo intervistë është një mundësi për t’u sqaruar…

Realiteti është se ‘RedBird’ zotëron 100% të Milanit. Ka investuar 600 milionë euro në kapital dhe kontrollon 100% të këtij kapitali. Mendova se vazhdimësia me ‘Elliott’ ishte një virtyt dhe prandaj preferova financimin e tij të pastër, pa aksione në kapitalin, 550 milionë euro me interes shumë interesant, që do ta paguajë për tri vite. Mund të kisha mbledhur një miliard euro, mund të kisha përfshirë banka të palëve të treta, por zgjodha ta bëja me ‘Elliott’, sepse kam respekt të jashtëzakonshëm për këtë organizatë. Ishte një mënyrë inteligjente për ta blerë Milanin: siguri, shpejtësi, mundësi për të siguruar vazhdimësi, për të filluar fuqishëm.

Është folur shumë për modelin ‘Moneyball’, a i zgjedhin algoritmet lojtarët?

Është thelbësore të kuptosh se të dhënat janë vetëm një mjet në kutinë tonë të veglave. Nga ajo që lexova duket se nëse je ekspert i të dhënave, atëherë nuk bën mirë zbulimin. Është qesharake. ‘Moneyball’ është shkruar 20 vjet më parë, sot të gjithë përdorin të dhëna, por në portofolin tonë ka një kompani analitike me 13 studiues nga MIT. Futbolli evropian nuk është si bejsbolli, kërkon një nivel tjetër sofistikimi dhe ne besojmë se jemi në ballë.

Çfarë keni kuptuar për futbollin në Itali dhe çfarë kontributi mendoni se mund të jepni?

Gjëja që më goditi më shumë në këtë vit të parë ishte të shihja distancën me Chelsea në dy ndeshjet e Champions League. Prandaj doja një Milan më fizik, më të shpejtë, më intensiv dhe kjo u tregua në ndeshjet e para. Do të bëj gjithçka për një klub fitues, por si partner i Serie A duhet të shpresojmë për angazhim të barabartë, për të reduktuar diferencën mes të gjitha kampionateve dhe Premier League. Për ta arritur këtë duhet të ndryshojmë. Besoj se mund të kontribuoj, kam 30 vite eksperience, kam punuar me më të mirët. Partnerë të kompanive, pjesë e portofolit tonë, jane Apple, Amazon, Paramount, Disney, ESPN, Fox. Kam gjetur mënyra inovative për të maksimizuar vlerën e produktit. Jam i gatshëm t’i ndaj përvojat e mia, por askush nuk duket se i konsideron ato të rëndësishme në Serie A.

A jeni penduar që keni investuar në Itali? A mendoni se burokracia është shumë shtypëse?

Jo, këtu ndihem si në shtëpinë time. Kur blemë Milanin, në Amerikë më thanë: Ti je i çmendur, nuk mund të bësh biznes në Itali. Ka burokraci, ka shumë politikë. Dhe kur mendova të ndërtoja një stadium të ri, më thanë: Harroje. A e pe se çfarë ndodhi në Romë. Por, përveç se më thanë që nuk do të bëj dot diçka, kjo më rriti vendosmërinë. Unë e shoh Italinë me sy të ndryshëm. Mendoj se italianët janë bashkëpunues dhe të hapur për dialog. Do të doja të investoja më shumë këtu. Kur të ndërtojmë stadiumin e ri do të jetë një projekt një miliard dollarësh. Do të ishte një shenjë e mirë nëse do të mbështetej edhe nga kapitali italian. Do të ishte një përgjigje karshi atyre që thonë se nuk mund të bëni biznes në Itali.

A keni arritur ta vizitoni krejt Milanon? Çfarë vlerësuat më shumë?

Më pëlqen të shkoj përreth dhe të zbuloj restorante që nuk i njoh, dua të integrohem, të bëhem pak milanez. Më pëlqen të jem tifoz i Milanit, pjesë e këtij komuniteti. Tani njerëzit më njohin, më pëlqen të afrohen më shumë.

Këtë verë ka pasur një ndryshim në menaxhim. A nuk keni frikë se do ta kthejnë atë në humbjen tuaj të parë?

Në atë moment dikush kishte komentuar: Epo, Cardinale nuk dëshiron të shpenzojë për Milanin. Por, a mendoni se ai do të investojë 1.2 miliardë për të fituar para menjëherë? Është një projekt afatgjatë. Unë dua të fitoj, por jo vetëm një herë, shumë, në kohë. Në futboll dua të jem një Berlusconi 2, të kem të njëjtin ndikim si ai në një kontekst krejtësisht të ndryshuar. Tani, me xhiron më të lartë në historinë e Milanit dhe një bilanc afër fitimit për herë të parë që nga viti 2006, ne përballemi me një fazë të re. Duam të jemi nr. 1, por nuk mund ta bëjmë pa ndryshime.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd