Transmetuar më 14-09-2023, 10:07

Një masakër e vërtetë në rrjetet sociale për portierin e Ekuadorit, Hernán Galíndez, pas disfatës ndaj Argjentinës, vendosur nga goli i Messit. Në veçanti, kritikat dhe ofendimet ranë si “shi” pas zgjedhjes së Galindez për të ndërruar fanellat me atë të kampionit argjentinas, në fund të ndeshjes.

Shkak i furtunës në rrjetet sociale janë bërë dyshimet e fansave për besnikërinë ndaj fanellës së Galìndez. Portieri, në fakt, luan për Ekuadorin, por ka origjinë argjentinase. Jo vetëm kaq, Galìndez u rrit në Rosario, pranë Messit.

"Ai shënoi për herë të parë ndaj meje, – ishin fjalët e portierit. – Ne ishim fqinj në Rosario dhe kemi të njëjtën moshë". Kritikat në rrjetet sociale pas golit të pësuar nga Messi shkuan deri aty sa të hidhnin hipotezën se Galìndez e la Messin të shënonte.

Polemikat nuk kanë të ndalur prej ditësh dhe vetë portieri, pas fitores 2-1 ndaj Uruguajit, ka dashur të shprehet për situatën: “Më thanë që e lashë vetë Messin të më shënonte, qëllimisht. Më akuzuan se nuk jam i lidhur me fanellën dhe për këtë arsye e ndërrova me Messin pas një disfate.

E dija që do të merrja kritika, por nuk më interesonte, sepse e bëra për gezimin e djalit tim 6 vjeçar. Më dhembi të dëgjoja se nuk e dua këtë vend. Jetoj prej 12 vitesh në Ekuador dhe mendoj se kam treguar shumë respekt e afeksion për këtë vend. Gjithmonë ma plasin në fytyrë faktin se nuk kam lindur këtu. Kam luftuar shumë për të qenë ekuadorian, nuk do ta harroj kurrë ditën kur ia dola”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd