Transmetuar më 14-09-2023, 08:49

Sot luhet e ashtuquajtura klasike e futbollit shqiptar. Prej orës 18:00, në “Loro Boriçi” do të startojë supersfida e Superiores, Vllaznia-Partizani, e vlefshme për javën e tretë të kampionatit kombëtar të futbollit.

Të kuqtë janë kampionët e vendit në fuqi, ndërsa shkodranët janë riformatuar “themelesh” për sezonin e ri, ndaj mbetet të shihet se sa ambiciozë do të jenë. Nëse trajneri Migen Memelli tha se Vllaznia e tij do të hyjë në fushë për fitore, por ndaj të kuqve është i pritshëm çdo rezultat, kroati i stolit të Partizanit kërkon maksimumin.

Më konkretisht, trajneri Zoran Zekic bëri këtë prognozë të transfertës shkdorane: “Shpresoj që gjendja e lojtarëve të jetë e mirë, sepse kemi pushuar pak. I kemi kthyer disa lojtarë në nivel më të mirë. Por e kam thënë si gjithmonë që duhet të luajmë si skuadër, kompaktë, me disiplinë dhe cilësi. Do të mundohemi të jemi në nivel të mirë ndaj Vllaznisë.

Dy ndeshjet e Vllaznisë, a na mjaftojnë për të pasur informacion për kundërshtarin? Nuk janë vetëm dy ndeshje, pasi ka luajtur edhe në Europë. Mund të kuptoj diçka prej tyre, njohim cilësitë individuale dhe çfarë është më e mira dhe dobësitë. Gjithashtu, kam parë të gjitha ndeshjet e sezonit të kaluar me Vllazninë dhe sa probleme ka pasur Partizani me këtë kundërshtar. Shpresojmë që kësaj here të mos kemi probleme.

Pikat e forta të Vllaznisë? Tani nuk mund të flas për emra, por Vllaznia është skuadër agresive, një kundërshtar i mirë. Ka 3-4 lojtarë shumë të shpejtë nëse flasim për emra. Janë lojtarë të fortë me top dhe pa top, por duhet të mendojmë për veten dhe të luajmë sa më mirë të mundetmi. Ata luajnë në shtëpi, me shumë mbështetje tifozësh, e di që ata do të jenë me 120% , ndaj duhet të jemi përgatitur për gjithçka.

Vetëm 1 fitore e Partizanit në 4 vite në Shkodër? Para 4 vitesh isha shumë i gjatë dhe i bukur (batutë). Nuk duhet të mendojmë për 4 vitet e kaluara, por për sezonin në vijim.

I pakënaqur ndaj Laçit? Nuk mund të gënjej veten, por ishte e vërtetë. Shpresoj që të kemi mësuar diçka nag ajo ndeshje. Ndryshim formacioni? Padyshim. Situata tani është më mirë, të shohim. Da Silva? Nuk më pëlqen të flasim para ndeshjeve për lojtarë që nuk janë në skuadër.

Nuk kemi asnjë çështje të hapur, nuk kemi pasur asnjëherë. Ndonjëherë ka situata në shtëpi ku je dakord apo jo, por ky klub ka rregullat e tij. Nuk flas për Da Silvën vetëm, por për të gjitha situatat”.