
Erling Haaland, sulmuesi ikonë i Norvegjisë dhe Manchester City, u gjend në “syrin e ciklonit”, pasi një postim i tij në X dhe Instagram shkaktoi ortek kritikash. Në prag të ndeshjes që u fitua më pas kundër Gjeorgjisë, në xhiron e gjashtë të Grupit A të eliminatoreve të “Euro 2024”, 23-vjeçari bëri një gjest të konsideruar nga shumë njerëz si të papërshtatshëm.
Postimi në fjalë tregon Haaland duke shkruar “AIRling”, shoqëruar me “emoji” e një avioni dhe flamurin norvegjez, me një imazh të tij bashkangjitur duke kontrolluar topin në ajër. Edhe pse qëllimi i tij ishte të bënte një lojë fjalësh mes "ajrore" dhe "linjave ajrore" në lidhje me emrin e tij, futbollisti nuk e kuptoi se po e postonte në përvjetorin e sulmit tragjik në Qendrën Tregtare Botërore të SHBA, të 22 viteve më parë.
Mediat sociale u vërshuan shpejt me komente mosmiratuese. Në disa nga mesazhet lexohej: "Është e papërshtatshme të postosh në Twitter për aeroplanët në këtë ditë"; "Unë nuk mendoj se është e përshtatshme të flasim për fluturimet dhe aeroplanët sot"; "Unë mendoj se keni zgjedhur ditën më të keqe të mundshme për këtë".
Disa ndjekës ishin më të drejtpërdrejtë me gjykime të tilla si: “Shiko ditën kur cicëron për avionët”; “Nuk i intereson”; “Nuk mund ta besoj” ose “UEFA dhe Premier League duhet të veprojnë dhe ta ndalojnë”.
Haaland, i cili fitoi Premier League, “FA Cup dhe Champions League me Manchester City sezonin e kaluar, është një nga 30 lojtarët e nominuar për “Topin e Artë”.