Transmetuar më 13-09-2023, 08:59

Ka disa histori të lidhura me përvojën e dytë të Cristiano Ronaldos te Manchester United, që shpjegojnë vështirësitë me të cilat u përball ylli portugez. Këto janë zbuluar nga Mike Phelan, ndihmës trajner i klubit anglez nga viti 2018 deri më 2022.

I intervistuar nga “Sky Sports”, Phelan komentoi: "Ronaldo erdhi shumë më i vjetër herën e dytë, shumë më me opinion dhe vullnet të fortë. Ai kishte ende standarde jashtëzakonisht të larta, ishte fantastik për të punuar me të.

Sidoqoftë, ndoshta do të thoja se tashmë kishte mentalitet më të ashpër. Ai kishte qenë më i miri te Manchester United, gjithmonë pika referuese e Portugalisë, lider edhe te Real Madridi. Më pëlqeu kur u kthye në ‘Old Trafford’ sepse nuk donte që standardet e tij të bien.

Në fakt, ai donte që standardet e lojtarëve dhe drejtuesve të tjerë përreth të rriteshin. Dhe ndonjëherë kur kjo ndodh, humbisni disa njerëz gjatë rrugës. Më kujtohen disa momente kur ai shtynte dhe shtynte fort, por nuk merrte shumë reagime apo përgjigje.

Dhe pësonte zhgënjim të madh. Kur merresh me njerëzit më të mirë, gjithçka ka të bëjë me ata. Pra sfidat e tij ishin për diku tjetër”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd