Transmetuar më 12-09-2023, 13:51

“Martesa” mes Leonardo Bonuccit dhe Juventusit përfundoi zyrtarisht në orët e fundit të merkatos së kësaj vere, me kalimin e mbrojtësit italian tek Union Berlin. Ish-kapiteni i bardhezinjve, megjithatë, nuk është i gatshëm ta harrojë trajtimin që ka marrë nga klubi në muajt e fundit të trazuar.

Prandaj, Bonucci ka vendosur të çojë Juventusin në gjykatë me një kërkesë kompensimi për dëmet. Pra, shpallet beteja ligjore mes palëve. Kjo është mënyra më e keqe për t’i dhënë fund një historie të gjatë dhe të suksesshme dashurie.

Avokatët e lojtarit, Antonio Conte dhe Gabriele Zuccheretti do të vijojnë me veprimet ligjore të parashikuara në kontratën kolektive. Veprim i cili konsiston në një kërkesë kompensimi për dëmet, shkak i mungesës së pretenduar të kushteve adekuate të stërvitjes dhe përgatitjes në dispozicion të Bonucci, situatë e cila i ka shkaktuar lojtarit dëmtim të natyrës profesionale dhe imazhit.

Bonucci saktësoi se çdo shumë që rezulton nga ky aksion ligjor do t’i dhurohet “Neuroland”, një shoqate që mbështet familjet e fëmijëve të shtruar në departamentin e neurokirurgjisë pediatrike të Spitalit të Fëmijëve “Regina Margherita” në Torino dhe “Live Onlus”.

Nëpërmjet të ardhurave nga ankandet e materialeve që iu përkasin sportistëve të profilit të lartë, shoqata blen dhe dhuron defibrilatorë për t’ua ndarë klubeve sportive, shkollave dhe bashkive.

Për ish-kapitenin bardhezi nuk është një luftë personale me Juventusin, por çështje parimore që duhet çuar përpara edhe për lojtarët që gjenden në të njëjtën situatë si ai, pa pasur mundësi të reagojnë.

Sidomos, situatat që ai përjetoi u konsideruan "anormale" për një profesionist, si për shembull të kryente seanca stërvitore në mbrëmje, në orare të ndryshme nga ato të shokëve të tij, pa u takuar ndonjëherë me stafin teknik. Po kështu, ai nuk pati akses në palestër, pishinë dhe restorantin e klubit.

Për më tepër, zgjedhja e Juventusit për të mos e llogaritur fare për sezonin e ri, edhe pse me një vit kontratë të mbetur, bëri që lojtari të ndihej i braktisur qëllimisht, përmes një strategjie që Bonucci e konsideroi të paramenduar.

Juventusi, siç u tha disa herë në javët e fundit, beson se në vend të kësaj ka vepruar sipas rregullave ndaj Bonuccit, të cilit i ishte garantuar mundësia për t’u stërvitur, edhe pse larg shokëve të skuadrës. E gjitha kjo, padyshim, duke vënë në dispozicion pajisjet e nevojshme dhe personat përgjegjës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd