Transmetuar më 12-09-2023, 12:27

Kristjan Asllani ishte afër shitjes në ditët e fundit të merkatos së verës (shkëmbim me Maxime Lopez të Sassuolo), por në vend të kësaj do të mund të vazhdojë ëndrrën e tij për ta veshur më shpesh fanellën e Interit.

Shqiptari, i freskët nga angazhimet me kombëtaren e tij (barazimi me Republikën Çeke dhe fitoren me Poloninë) është rikthyer pasditen e djeshme në “Appiano Gentile” për të rifilluar stërvitjet në kuadër të derbit ndaj Milanit, por ndërkohë ka dhënë edhe një intervistë ku ka shpjeguar se çfarë ka ndodhur në merkaton e mbyllur të verës më 1 shtator.

"Ju lexoni në media se ekzistonte mundësia që unë të huazohesha, por pasi fola me klubin, qëndrova tek Interi, që është ëndrra ime e madhe. Perspektiva për të ardhmen? Në rolin tim është Calhanoglu dhe kjo më ndihmon shumë të mësoj dhe të rritem”.

Disa fjalë edhe për derbin e Madoninës: "Milani është një skuadër shumë cilësore, pres një ndeshje të madhe. Megjithatë, ne jemi të fortë dhe kam besim se do të bëjmë mirë, do të japim maksimumin".