Transmetuar më 12-09-2023, 11:31

I mori 270 mijë euro një gruaje, arrestohet 53-vjeçari në Tiranë.

Një 53-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës i akuzuar për mashtrim. Në pranga përfunoi Andi Alimehmeti, i cili i ka marrë 270 mijë euro një shtetaseje, duke e mashtruar atë se do ta bënte bashkëpunëtore në një agjensi turistike që kishte në pronësi.

Policia e kryeqytetit informon se ‘shërbimet e Seksionit të Kërkimit në DVP Tiranë, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Trick”.

Si rezultat i këtij operacioni, në Pezë, u kap shtetasi në kërkim Andi Alimehmeti, 53 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.

53-vjeçari i ka marrë një shtetaseje, shumën 270 000 euro, duke e mashtruar atë se do ta bënte bashkëpunëtore në një agjensi turistike që kishte në pronësi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.’

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd