
Paul Pogba ka dalë pozitiv për testosteron. Mesfushori francez u pezullua si një masë paraprake nga Gjykata Kombëtare Anti-Doping. “Bomba” shpërtheu, por ka ende një shije të paqartë. Megjithatë, është bërë një çështje përvëluese. Juve vijon përgatitjet në funksion të përballjes së parë direkte të sezonit kundër Lazios, por në një çast gjithçka ndryshon.
Paul ka dalë jo negativ pas një testi antidoping të kryer në fund të ndeshjes Udinese-Juve, më 20 gusht, ditën e parë të kampionatit, ndeshje në të cilën francezi qëndroi në stol. Ai kishte bërë nxemjen në fushë gjatë ndeshjes, por nuk kishte luajtur asnjë minutë.
Analizat u kryen në laboratorin “Coni dell’Acquacetosa” në Romë, një referencë për këtë temë, gjithashtu në nivel ndërkombëtar, dhe rezultatet iu komunikuan më pas “Nado Italia”, Organizatës Kombëtare Anti-Doping, e cila njoftoi Juventusin dhe futbollistin. Tashmë Pogba, siç është e drejta e tij, do të mund të kërkojë kundëranalizë, një hap i domosdoshëm për të konfirmuar ose jo pozitivitetin.
Lajmi ishte tronditës për të gjithë mjedisin, sepse rreziku parashikon skualifikim deri në 4 vite. Një pengesë e papritur, që del pikërisht në momentin që Paul po jepte sinjale ngushëlluese rikuperimi dhe dalëngadalë po njihej ambientohej me fushën. Natyrisht, në Empoli, para pushimit, kishte pasur një problem të ri muskulor, por këtë herë jo mjaftueshëm për ta ndaluar gjatë.
Për ironi, pikërisht dje në mëngjes u publikua intervista e tij me “Al Jazeera”, plot shpresë dhe motivim: “Dua t’iu tregoj të gjithëve se nuk jam i dobët. Njerëzit mund të flasin keq për mua, por nuk do të dorëzohem kurrë”.
Që nga kthimi te Juventusi, mesfushori francez ka jetuar më shumë në “infermieri” se sa në fushë, për shkak të dëmtimit të gjurit verën e kaluar, zgjedhjes së tij fillestare për të mos bërë operacion dhe rikuperimit të gjatë.
Ngjarjet e kaluara tërhoqën shumë kritika nga tifozët dhe e bënë klubin të fillojë të mendojë për të ardhmen. Ekziston një rishikim i shpenzimeve në “Continassa” dhe klubi po konsideron të rimodelojë barrën e disa kontratave të rënda.
Rasti më domethënës lidhet pikërisht me Pogba, lojtari më i paguar në skuadrën bardhezi: 8 milionë neto, plus 2 milionë bonuse deri në vitin 2026. Tani skenari mund të ndryshojë, në varësi të rezultatit të dytë anti doping, e cila, ia vlen të kujtohet, është ende për t’u sqaruar. Tashmë ka ardhur rezultati i parë pozitiv dhe si pasojë pezullimi pa afat.