Transmetuar më 10-09-2023, 12:16

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë dhe një është shpallur në kërkim ditën e sotme në Himarë, nën akuzë për kultivim kanabisi.

Të arrestuarit janë një 26-vjeçar dhe një 30-vjeçar, teksa në kërkim është shpallur një 33-vjeçar. Policia ka njoftuar se u është dërguar një video, ku këta 3 persona kudjeseshin për bimë kanabisi, të kultivuara në një ullishte dhe në një zonë të pyllëzuar mbi plazhin, në Lukovë.

Dy persona të tjerë, po procedohen penalisht për moskallëzim të këtij krimi.

Policia vendore thotë se ‘në kuadër të këtij operacioni, u arrestua shtetasi V. K., 30 vjeç, banues në Lukovë dhe K. A., 26 vjeç, banues në Maliq. Gjithashtu, si bashkëpunëtor për këtë veprimtari kriminale, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi R. M., 33 vjeç, banues në Lukovë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në territorin e fshatit Lukovë, në pjesën e ullishtes dhe të zonës së pyllëzuar që gjendet mbi plazh, në një parcelë, kishin kultivuar 31 bimë kanabis të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, për shtetasit F. V., 29 vjeç, banues në fshatin Piqeras, Himarë, dhe Sh. H., 37 vjeç, banues në Gjirokastër.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.