Transmetuar më 07-09-2023, 21:53

TIRANË- Deputeti Gazment Bardhi komentoi deklaratat e tij për Sali Berishën kur e ka quajtur “vrasës”. Në emisionin “Now” në Euronews Albania, Bardhi argumentoi se nuk mund të vendosë inatet personale mbi interesat e opozitës. Sipas tij është më e ndershme të bashkëpunojë me Berishën se të vijojë problemin e brendshëm në PD dhe të mos kryejë funksionin e tij për të cilin paguhet nga taksat e qytetarëve.

“Ajo që unë kam bërë sot është nevoja urgjente që ka Shqipëria për një opozitë funksionale dhe të unifikuar. Nuk i zgjedh unë faktorët opozitar në vend, unë kam për detyrë të jap modelin tim, aktet e mia, sjelljen time. E rëndësishme në këtë moment është do rrimë peng i sherrit brenda Partisë Demokratike apo të bëjmë opozitë me Edi Ramën. Qytetarët nga taksat e tyre mua si deputet i Kuvendit të Shqipërisë më paguajnë të bëj opozitë apo të sherrosem me Sali Berishën. Mos i nxirrni fjalët nga konteksti dhe nga momenti ku janë thënë. Unë nuk kam hyrë në politikë për të nxjerrë inatet e mia. E kam thënë me dhjetëra herë secili nga ne do të duhet të kapërcejë veten për opozitën funksionale. Ti po më thua mua, meqenëse jeni sharë me Sali Berishën vazhdojeni sherrin dhe nja dy vite të tjera. Secili me moralin e tij personal iu prezantohet qytetarëve. Unë nuk jam Sali Berisha dhe Sali Berisha nuk është Gazment Bardhi. Unë mbaj përgjegjësi vetëm për aktet dhe veprimet e mia. Fakti që unë i kam bërë akuza po themi Ermonela Feljat, çfarë do të thotë që nuk do të shkoj në një konferencë kryetarësh meqë përballë kam atë?! S’mund të mbajmë inat me njëri tjetrin dhe të vuajnë pasojat qytetarët,” u shpreh Bardhi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd