Transmetuar më 07-09-2023, 12:20

Portugezi Cristiano Ronaldo siguroi këtë të mërkurë se rivaliteti me argjentinasin Lionel Messi ka marrë fund dhe se “kushdo që e pëlqen Cristianon nuk duhet ta urrejë Messin, sepse të dy janë lojtarë shumë të mirë, që ndryshuan historinë e futbollit. Rivaliteti me Messin ishte i mirë, spektatorëve iu pëlqeu, por tashmë ka mbaruar. Sot, megjithëse nuk kemi miqësi, e respektojmë njëri-tjetrin". Këtë deklaratë, CR7 e bëri në konferencën për shtyp nga grumbullimi me kombëtaren portugeze, ku nënvizoi më tej: “Ne kemi ndarë skenën për 15 vite dhe e kemi respektuar njëri-tjetrin. Nuk do të them se jemi miq, nuk kam ngrënë kurrë me të (qesh), por me profesion jemi kolegë dhe e respektojmë njëri-tjetrin”.

I pyetur për armiqësinë mes ndjekësve të tij dhe atyre të ish-lojtarit të Barçës, Cristiano përjashtoi çdo “urrejtje”: “Kushdo që e pëlqen Cristiano Ronaldon, nuk duhet ta urrejë Messin. Të dy janë shumë të mirë, kanë ndryshuar historinë e futbollit. Ne jemi të respektuar në të gjithë botën, kjo është gjëja më e rëndësishme”.

Lojtari aktual i Al Nassr po ashtu deklaroi se Messi, me sa ka parë deri më tani, “po bën mirë” në skuadrën e tij të re, Inter Miami.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd