Transmetuar më 07-09-2023, 07:25

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar mbrëmë seancën zyrtare stërvitore në stadiumin “Fortuna Arena” të Pragës, duke mbyllur kështu edhe përgatitjet për duelin e rëndësishme të kualifikueseve të "Euro 2024" ndaj Republikës Çeke.

Kuqezinjtë, nën drejtimin e trajnerit Sylvinho dhe stafit teknik, u stërvitën për më shumë se një orë në stadiumin e ndeshjes, duke provuar vendosje taktike dhe situata të ndryshme loje.

Forma e lojtarëve është e mirë dhe deri më tani nuk ka probleme fizike për asnjërin, me atmosferën që është shumë pozitive dhe i gjithë grupi është optimist për një rezultat të mirë.

Sfida Republika Çeke-Shqipëri do të luhet më 7 shtator 2023, ora 20:45 në stadiumin “Fortuna Arena” të Pragës, sfidë e vlefshme për eliminatoret e "Euro 2024".

Në seancën e fundit stërvitore, trajneri Sylvinho ka provuar edhe formacionin e mundshëm që pritet të hedhë në fushë sonte. Nuk do të mungojnë surprizat për sa iu përket i tutllarëve.

Porta do t’i besohet Etrit Berishës, ndërkohë që në mbrojtje pritet të rreshtohen: Elseid Hysaj nga e djathta, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti në qendër, si dhe Mario Mitaj nga e majta. Gjasat janë të mëdha që Balliu ta nisë nga stoli dhe Sylvinho t’i besojë Mitajt, që bëri mjaft mirë në ndeshjen e fundit me kombëtaren ndaj Ishujve Faroe.

Mesfusha pritet të formohet nga treshja Ramadani, Asllani dhe Bajrami, të tre futbollistë që luajnë në Serie A. Për sa i përket sulmit, ka balotazh në krahun e majtë mes Uzunit dhe Seferit. Trajneri Sylvinho do të vendosë para ndeshjes për këtë vend titullari, ndërkohë që Cikalleshi në qendër dhe Asani nga e djathta janë të sigurtë.

FORMACIONI I MUNDSHËM: Berisha – Mitaj, Gjimshiti, Ismajli, Hysaj – Bajrami, Ramadani, Asllani – Uzuni (Seferi), Cikalleshi, Asani

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd