Transmetuar më 04-09-2023, 19:23

Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, ka publikuar emrat e ministrave të cilët kanë lënë postet ministrore, duke sjellë disa emra të rinj, por edhe lëvizje përbrenda kabineteve ministrore.

Ajo që bie në sy është fakti se portofolet ku janë bërë ndryshimet qeveritare konsiderohen si të rëndësishme, siç është ai i politikës së Jashtme, i Financave, i Arsimit dhe i Bujqësisë.

Bie në sy largimi i Olta Xhaçkës nga posti i ministres së Jashtme për t’u zëvendësuar me Igli Hasanin. Ndërsa ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, do të zëvendësohet nga Anila Denaj, e cila rikthehet në qeveri pas largimit si ministre e Financave disa vite më parë.

Delina Ibrahimaj lë gjithashtu postin e ministres së Financave, për t’u zëvendësuar nga Ervin Mete, por do të marrë portofolin e ministres së Shtetit për Sipërmarrjen, duke mbetur në qeveri.

Pas shumë vitesh në krye të dikasterit të Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu do ta lërë drejtimin e kësaj ministrie për të zëvendësuar Evis Kushin në postin e ministres së Arsimit.

Në vend të Manastirliut, Rama ka zgjedhur Albana Koçiun si ministre të Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale. Ndërsa nënkryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku, do të jetë ministër Shteti për Pushtetin Vendor.

Ervin Mete-Ministër i Financave dhe Ekonomisë

Ervin Mete shërben si Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nga maji 2020.

Më herët ai ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bordit të Autoritetit, prej shtatorit 2019. Mete ka shërbyer si Zëvendësministër i Financave dhe Zëvendësministër i Ekonomisë (2013-2017), përgjegjës për politikën fiskale dhe zhvillimin ekonomik.

Gjatë kësaj periudhe ka qenë i përfshirë në reformën e menaxhimit të financave publike dhe modernizimin e kuadrit ligjor fiskal dhe financiar, përfshirë ligjin “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit ” dhe ndryshimet në ligjin “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare “.

Ervin Mete ka drejtuar grupin e nivelit të lartë mes Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për reduktimin e kredive të këqija në sistemin bankar dhe ka mbajtur pozicionin e koordinatorit kombëtar për Programin e Reformave Ekonomike me BE.

Ai gjithashtu është lektor i së drejtës fiskale pranë Shkollës së Magjistraturës. Mete ka shërbyer si ekspert dhe konsulent i Bankës Botërore (2011), Komisionit Evropian (2008) dhe PNUD-it (2007).

Për sa i përket arsimimit, Ervin Mete mban gradën Master nga Universiteti i Harvardit, SHBA (LL.M. 2010) dhe nga Shkolla Ekonomike e Londrës – LSE (LL.M. 2009), ku është specializuar në të drejtë fiskale dhe të drejtë korporatash.

Është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, me rezultate të shkëlqyera (2006). Mete zotëron gjuhën angleze dhe atë italiane.

Igli Hasani- Ministër për Europën dhe punët e Jashtme

Igli Hasani është Koordinator i Aktiviteteve Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së.

Përpara anëtarësimit në OSBE, Hasani ka qenë Përfaqësues i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Vjenë.

Në janar 2021, ai mori postin e Kryetarit të Grupit të Partnerëve Aziatikë për Bashkëpunim.

Gjatë kryesimit shqiptar të OSBE-së, ai ishte Kryetar i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së dhe kryetar i Grupit të Kontaktit Mesdhetar si pjesë e Trojkës së OSBE-së në vitin 2019.

Hasani ka një përvojë 17 vjeçare në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në role të ndryshme drejtuese, duke përfshirë si Sekretar i Përgjithshëm (2017-2018), Drejtor i Përgjithshëm për Politikat e Mbrojtjes (2015-2017), Drejtor i NATO-s dhe Marrëdhënieve me Jashtë (2013-2014). dhe Drejtor i Integrimeve Euro-Atlantike (2013-2014).

Ai është diplomuar në Drejtësi, Sociologji dhe Filozofi nga Universiteti i Tiranës, Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga King’s College në Londër, si dhe është diplomuar në Kolegjin Mbretëror të Studimeve të Mbrojtjes.

Albana Koçiu – Ministre e Shëndetësisë

Albana Koçiu mban pozicionin e Drejtorit të Departamentit të Administratës Publike që prej vitit 2013.

Koçiu ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës dhe vjen në krye të Departamentit të Administratës Publike pas një eksperience 18 vjeçare në pozicione drejtuese ne administratën qendrore dhe vendore, me fokus të veçantë në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore.

Njëherazi, Koçiu ka ndjekur një sërë kursesh dhe trajnimesh profesionale mbi drejtimin, menaxhimin e burimeve njerëzore, rekrutimin efektiv në shërbimin civil, analizën e nevojave për trajnim në administratën publike, etj.

Si Drejtor i Departamentit të Administratës Publike, ajo kryeson në nivel teknik procesin e Reformës së Administratës Publike, si një ndër prioritetet e vendit drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Arbi Mazniku – Ministër Shteti për Pushtetin vendor

Arbjan Mazniku është nënkryetar i Bashkisë së Tiranës që nga shtatori i vitit 2015. Më parë, ai ka qenë zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit për periudhën 2 vjeçare.

Para se të merrte përsipër këto detyra, Arbjani ka qenë Drejtor Ekzekutiv i Institutit AGENDA, një organizatë në Tiranë që merret me kërkime dhe analiza të politikave publike në Shqipëri, sidomos në fushën e qeverisjes, Integrimit Europian dhe zhvillimit ekonomik dhe social.

Në janar të vitit 2008 Mazniku ka punuar për MJAFT, lëvizja civile e cila nxiti reagimin dhe aktivizimin e të rinjve për çështje të ndryshme politike e sociale.

Nga vitet 2005-2007, Arbjan Mazniku ka qenë Drejtor për Politikat e brendshme në MJAFT dhe nga viti 2003-2005 ka qenë Drejtor Komunikimi në MJAFT.

Përpara aktivizimit në MJAFT, Arbjani ka drejtuar Shoqatën Ndërkombëtare të Debateve në Shqipëri për 3 vjet, duke kordinuar programet e debatit për Gjimnazet dhe Universitetet.

Arbjan Mazniku ka studiuar për Gazetari në Universitetin e Tiranës dhe zotëron një Master në Profilin Komunikim Politik nga Universiteti Sheffield në Britaninë e Madhe.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd