
Tregu i transferimeve të verës 2023 ka përfunduar, tani të gjitha skuadrat mund të fokusohen vetëm në fushë, në një sezon që premton të jetë dredharak, veçanërisht për ata me angazhime evropiane. Mes tyre është edhe Interi, i rinovuar mes largimeve të shumta dhe po kaq ardhjeve të reja.
Të gjithë, por jo Lukaku, që dukej i destinuar të bashkohej me zikaltrit vetëm për të përfunduar te Roma e Mourinhos: “Për mua Lukaku bëri një gabim të madh në marrëdhëniet me Interin dhe Juventusin, të paktën duke parë nga jashtë”, – komentoi ish-presidenti i Interit, Massimo Moratti. – Më pas përfundoi në një klub të rëndësishëm si Roma”.
Ndër klubet që, sipas ish-presidentit të zikaltërve kanë lëvizur më mirë në tregun e transferimeve është Fiorentina, kundërshtari i djeshëm i Interit në Serie A: “Vjollcët kanë bërë transferime të mira, morën një qendërsulmues të rëndësishëm. Vlera e shtuar megjithatë për mua është Italiano, një trajner që më pëlqen shumë për cilësinë dhe karakterin e tij”.
Mënjanë Lukaku, Interi ndryshoi disa pjesë në “tabelën e shahut” të Inzaghit pasi arriti në finalen e Ligës së Kampionëve: "Mendoj se zikaltrit u forcuan veçanërisht në mes të fushës, ku morën shumë lojtarë të mirë. E kam parë Interin në ndeshjet e para dhe po luan futboll të bukur sezonin e ri”.