Transmetuar më 04-09-2023, 08:03

E ardhmja e Sergio Ramos nuk është ende e vendosur zyrtarisht, por faktikisht merret vesh se është "kopsitur". Ai ishte një lojtar luksi i lirë. Pas lamtumirës së tij me PSG-në, në verë pati shumë skuadra që iu afruan mbrojtësit të fortë spanjoll: Besiktas dhe Galatasaray në fillim, por pati edhe oferta nga Arabia Saudite.

Në fakt, sipas “Marca”, Ramos duket se është një hap larg veshjes së fanellës së Sevilla, klubi me të cilin bëri debutimin profesional në fillim të karrierës së tij, duke luajtur atje 49 ndeshje dhe shënuar 3 gola, përpara se të kalonte te Real Madridi në verën e vitit 2005 për 27 milionë euro.

Ramos ka luajtur për PSG në dy vitet e fundit, pasi u largua nga Real Madridi, ku fitoi pothuajse gjithçka. Gjatë sezonit të kaluar, spanjolli bëri gjithsej 45 paraqitje, duke shënuar gjithashtu 4 gola mes Ligue 1, Champions League dhe kupave të Francës.

Ramos, andaluziani nga Camas, do të kthehet në shtëpi pas 18 vitesh. Ishte Sevilla, në fakt, klubi ku u rrit para se "të martohej" me kauzën e Real Madridit, duke luajtur për 16 vite me "Los Blancos".