Transmetuar më 02-09-2023, 14:36

Nga Pëllumb Karameta

Për të gjithë ne, prindër, mësues, pedagogë apo dhe për të tjerë që investohen në sektorin e arsimit, fillimi i vitit shkollor është emocionues. Së pari, për sfidat që pritet të përballim. Sepse, koha që vjen, do na sfidojë të shkojmë përtej asaj që konsiderojmë të mirëqenë, për të eksploruar më thellë atë që dimë dhe ato të cilave nuk po u gjejmë zgjidhje.

Një prej tyre është analfabetizmi funksional (AF). Term ky i dekadave të fundit, i formësuar prej vlerësimit ndërkombëtar PISA që organizon çdo tre vjet OECD. Tabela paraqet arritjet e nxënësve tanë (pikët mesatare), në dy edicione. Kujtoj këtu se mesataret e vendeve pjesëmarrëse luhaten nga 490 – 500 pikë.

Bazuar në të dhënat e vitit 2018, një raport i Bankës Botërore (BB) në vitin 2020, argumentoi se “mbi 50% e 15-vjeçarëve në Shqipëri ishin analfabetë funksionalë”. Të tillë studiuesit ndërkombëtar konsiderojnë nxënësin i cili, edhe pse mund ta lexojë ose shkruajë tekstin, nuk e kupton atë mjaftueshëm.

Kështu, ai nuk përmbush si duhet detyra mësimore që konsiderohen thelbësore për nxënien në shkollë dhe jetën e përditshme. Dukuria shtrihet edhe në aftësitë e numërimit, çka pamundëson nxënien e lëndës së matematikës etj. Analfabeti i këtij lloji nuk deshifron dhe nuk njeh kuptimin e fjalëve, gramatikën, strukturat e teksteve dhe ato gjuhësore.

Analfabetë funksionalë mund të bëhen nxënësit që nuk kanë patur akses të mjaftueshëm në shkolla, ata me aftësi të kufizuara si disleksia apo me probleme të padiagnostikuara të shikimit ose dëgjimit, ata që rriten në mjedise të pafavorizuara etj. Sot, mendohet se në vendin tonë të tillë janë rreth 30% të nxënësve që ndjekin arsimin bazë.

Po t’i referohemi të dhënës së mësipërme të BB-së, afro 20% e nxënësve që marrin arsimin bazë, janë të aftë të shkruajnë e lexojnë normalisht, mund t’i kuptojnë informacionet e shkruara nga jeta e përditshme, përdorin TIK, njehsojnë dhe vlerësohen me notat mbi 7, por mbeten funksionalisht analfabetë, kryesisht në lëndët shkencore.

AF-ja është problem alarmues për shoqërinë tonë. Por, edhe pse i tillë, nuk më rezulton të jetë objekt i ndonjë punimi shkencor – kumtesë apo temë doktorature. Në anën tjetër, mjafton një kërkim i shpejtë në Google për t’u bindur se këtij problemi i kushtohen pak shkrime që thjesht e konstatojnë atë dhe bëjnë thirrje për ndryshim.

Madje, as mediet e shkruara apo televizionet (publike e private) nuk gjejnë kohë për të informuar të paktën për problemin që shqetëson nxënësit, prindërit, punëdhënësit, shoqërinë në tërësi. Edhe pse niveli i AF-së ndikon drejtpërdrejt mbi shkallën e produktivitetit në ekonomi, cilësinë e jetesës vetjake apo pjesëmarrjen në jetën e vendit.

Aktualisht, ne nuk kemi një përcaktim konsensual të AF-së, as studime të shfaqjeve të tij, as metoda me të cilën mund të diagnostikohen nxënësit funksionalisht analfabetë. Nuk bëhet fjalë për studime që identifikojnë qoftë dhe shkaqet që e sjellin AF-në.

Edhe pse ky problem tejet shqetësues me ndikime të thella personale dhe shoqërore, meriton të jetë objekt i kërkimit shkencor, asnjë nga doktoratura e mbrojtura në fakultetet e mësuesisë së këtij Universiteti në periudhën 2015-2022, nuk e ka atë objekt studimi. Konsultoni vetë linkun e UT-së [https://unitir.edu.al/category/dok/]. Jam i sigurt se do të më jepni të drejtë. Madje, edhe një doktoraturë që ka në fokus vlerësimin PISA, nuk i kushton AF-së as një radhë, sa për të tërhequr vëmendjen.

Jam përpjekur të sjell në vëmendje të publikut këtë problematikë që nga vitit 2012. Kam propozuar që AF-ja mund të përballet, kur studiuesit dhe pedagogët të reflektojnë për domosdoshmërinë e kalimit nga pedagogjia me objektiva në pedagogjinë e kompetencave; për shndërrimin e mësimdhënies transmetuese në nxënien bashkëpunuese etj. Bota e arsimit i ka dhënë tashmë përparësi referencës socio-konstruktiviste në hartimin e dokumentacionit kurrikular dhe procesin e nxënies.

Sipas saj, arsimi nuk është më çështje e ngulitjes dhe riprodhimit mekanik të forma gjeometrike, zgjidhjes së ekuacioneve apo rregullave të sintaksës etj., por nxitje e të menduarit bazuar në konceptet. Nëse nxënësi, p.sh, nuk ndihmohet të realizojë procesin e vështirë dhe kompleks të formimit të konceptit (nga ndërtimi i imazheve dhe konceptit, deri te lidhja e tij me simbolin / fjalën që e shpreh atë), nxënësi mund ta memorizojë fare mirë termin, ta shkruajë dhe / ose lexojë, por nuk kupton domethënien e tij – ndryshe, konceptin që ai prezanton.

Prishja e lidhjes koncept – simbol zëvendëson të menduarit me kujtesën e nxënësit, çka i hap rrugën AF-së. Është interesante që edhe pse procesi i formimit të konceptit ka vlera të padiskutueshme për edukimin e nxënësve dhe mënjanimin e AF-së, në asnjë nga burimet e literaturës psikike-pedagogjike që konsultojnë studentët e mësuesisë, nuk gjen informacion për këtë proces. Të njëjtën gjë mund të themi dhe për materialet me të cilët ndihmohen mësuesit të zhvillohen profesionalisht.

Po kujtoj tani të vërtetën e madhe se ndryshimi në arsim konsideron idenë sipas të cilës kërkimi shkencor nuk mund të evoluojë dhe të përgatitet të sfidojë devijimet që e për shtjelluan jo pak, pa riorganizuar themelet, pa ripërcaktuar perspektivat dhe qëllimet e reja. Për të konkretizuar këtë ide, po kthehem vite pas. Deri në 2003, studimet dhe kërkimin në fushën e arsimit i realizonte Instituti i Studimeve Pedagogjike (ISP), institucion në varësi të Ministrisë së Arsimit.

Ishte kjo e fundit që prokuronte studime për hartimin e drafteve të politikave arsimore dhe nismat për përmirësimin e arritjeve arsimore, të cilët, mirë ose keq, i realizonin specialistët e ISP-së. Pas këtij viti, Instituti reformohet disa herë dhe i hiqet e drejta për kërkim shkencor dhe eksperimente pedagogjike.

Këto veprimtari iu besuan Universiteteve ose agjencive të tjera që mund të siguronin financime dhe ekspertizë nga sponsorë të ndryshëm. Ky decentralizim i të drejtës për të realizuar studime në fushën e arsimit, gjykoj se është në rrënjën e mungesës së studimit të faktorëve që prodhojnë AF. Madje jo vetëm të tij.

Sikundër kam thënë dhe më parë, aktorët përgjegjës për të ndryshuar mënyrën e realizimit të kërkimit shkencor duket vijojnë rezistencën. Një pjesë e madhe e pedagogëve dhe doktorantëve, të pasigurt para ideve të reja, sipas tyre “të vështira” për t’u njohur e zbatuar, ose në padije të ndryshimeve që ndodhin në arsimin parauniversitar, nuk pranojnë përmasat e problemit dhe nevojën për kërkim.

Të tjerët, në kontekstin e decentralizimit të marrjes së vendimeve dhe të autonomisë universitare, vazhdojnë t’i drejtojnë energjitë dhe qëllimet e tyre të mira, duke e trajtuar tematikën e kërkimit shkencor si t’u duket më e arsyeshme. Dhe rezultati do të vijojë të jetë gjithmonë i diskutueshëm, ndërsa analfabetët funksionalë gjithnjë të pranishëm.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd