Transmetuar më 02-09-2023, 12:10

Me siguri do të vendoset shumë për sa i takon shanseve të kualifikimit të kuqezinjve tanë në finalet e “Euro 2024” në dy kualifikueset e këtij muaji. Më konkretisht, Shqipëria do të luajë transfertën me Republikën Çeke më 7 shtator, pastaj do të presë Poloninë më 10 shtator në “Arena Kombëtare”. Me çekët është ballafaqimi i parë në këtë fushatë eliminatore, ndërsa Lewandowski me shokë na mundën 1-0 në start, në Varshavë.

Pra, me ta do të jetë kthimi. Për momentin, grupi ynë kryesohet nga Republika Çeke me 7 pikë pas 3 ndeshjesh, e ndjekur nga kuqezinjtë tanë në vendin e dytë, me 6 pikë pas 3 ndeshjesh, ndërsa e treta është Moldavia me 5 pikë pas 4 ndeshjesh. Situata është krejtësisht e hapur, ndaj rivaliteti është tejet i ashpër për dy vendet e para, që vlejnë në funksion të qëllimit madhor, “Gjermania 2024”.

Sot në konferencë për shtyp doli trajneri Sylvinho, i cili iu përgjigj interesimit të shumtë të gazetarëve. Ai shpjegoi mungesat në listën e 25 kuqezinjve që ka thirrur për dy kualifikueset e shtatorit, por edhe prurjet e reja, sidomos dy të tilla në sulm, Arbnor Muja dhe Mirlind Daku.

Pse mungojnë Abrashi dhe Mehmeti?

Sigurisht në këto dy ndeshje kemi bërë zgjedhje referuar karakteristikave që kanë kundërshtarët tanë. Nga marsi në shtator kam grumbulluar 36 lojtarë. Ky është një avantazh. Kemi një listë të madhe pritjeje me 52 lojtarë. Abrashi ka dhënë zemrën në fushë, është një lojtar i madh dhe padiksutim është në listën tonë. Në këto dy ndeshje na duhen centimetra, ndaj kam marrë Gjasulën. E njëjta gjë edhe për Mehmetin. Kësaj here kam preferuar Roshin, sepse në momentin që hyn në fushë na ndihmon shumë.

Porta duket në vështirësi, me Berishën dhe Strakoshën pa luajtur në klubet e tyre…

Sa i takon portës nuk jemi në situatën më të mirë. Strakosha dhe Berisha nuk kanë shumë minuta në këmbë, por kanë luajtur titullarë me kombëtaren. Duhet të shikojmë gjendjen e tyre, por gjithësesi kanë eksperiencë dhe do të na ndihmojnë shumë.

Si do të luajë kombëtarja shqiptare ndaj Çekisë dhe Polonisë?

Kemi ekuilibrin e duhur mes mbrojtjes, mesfushës dhe sulmit. Ajeti është një lojtar që ka ndërruar kampionat dhe do të bëjë mirë. Ismajli, Gjimshiti, Mitaj etj. do të na ndihmojnë shumë. Kemi Çekinë përpara dhe për ne është e rëndësishme të bëjmë sa më mirë, të bëjmë lojën tonë. E rëndësishme për mua është të marrim maksimumin, strategjia jonë nuk do të ndryshojë.

Ju keni ndjekur skuadrat shqiptare në Europë, por nuk keni grumbulluar asnjë lojtar të Superiores?

Nuk është momenti i duhur për këto dy ndeshje. Ne i kemi parë skuadrat në Kupat e Europës, më ka pëlqyer performanca e tyre. Kam menduar se nuk është momenti i duhur për t’i grumbulluar, por janë gjithsesi në vëmendjen tonë. Unë nuk nisem nga pozitat nga kampionati i huaj apo shqiptar kur bëj listën. Për mua është e rëndësishme të kem në dispozicion lojtarët më të mirë. Kemi punuar me Hadroj, është një lojtar që po rritet. Në listën tonë janë edhe Rrapaj, Sherri, Kasa etj.

Euforia është e rrezikshme për kombëtaren tonë…

Unë kam komunikuar me lojtarët, të gjithë mezi presin t’i luajnë këto dy ndeshje, për të qenë më afër kualifikimit në Europian. Nuk ka eufori, por dëshirë për të bërë mirë. Të gjithë ne e duam kualifikimin, jam shumë i lumtur që edhe tifozët po na mbështesin.

Sa pikë llogarisni në dy kualifikueset e shtatorit?

Nuk mund të bëjmë dot llogari në këtë ëmoment, bilancin e kemi në nëntor. Jemi të fokusuar te Çekia, sepse është një kundërshtar shumë cilësor dhe ka lojtarë të fortë. Shkojmë për të marrë maksimumin, por nuk bëjmë strategjji të tipit një pikë këtu apo një pikë andej. Duhet të marrin maksimumin. Unë kam një shprehje: Nëse nuk fitojmë, më mirë është të mos humbasim.

Të gjitha biletat e ndeshjes në shtëpi kundër Polonisë janë shitur prej gati dy muajsh. Çfarë do të thotë për kombëtaren ky fakt?

Sigurisht është diçka që më jep kënaqësi. E pashë edhe me Moldavinë, stadiumi ishte plot dhe kjo na jep shtysë të madhe. Edhe me Çekinë, mesa di unë, do të kemi mbështetjen e tifozëve tanë. Kjo është diçka që na jep motiv. Puna jonë duhet të jetë në fushë, tifozët të bëjnë punën e tyre në shkallët e stadiumit.

A i druheni një aleance të fshehtë mes çekëve dhe polakëve në fund të këtyre eleminatoreve?

Çekia ka një skuadër që luan shumë shpejt, ka lojtarë shumë fizikë. Janë shumë të fortë si në lojën ajrore, edhe me topin në këmbë. Po punojmë shumë për këtë ndeshje. Sa iu takon llogarive apo aleancave, ne shohim punën tonë, që të mos mbetemi në duart e gjërave të tilla të cilitdo. Ne luajmë për të marrë sa më shumë pikë, nuk merremi me llogaritë e askujt. Nuk më intereson çfarë bëjnë të tjerët, do të bëjmë punën tonë për të arritur objektivin e vendosur.

Dy prurjet e reja në sulm, Daku dhe Muja, sa mund ta ndihmojnë kombëtaren kuqezi?

Janë dy lojtarë që kanë mundësi të marrin minuta në këto dy ndeshje. Daku është një lojtar që luan si pykë. Është lojtar që lufton shumë dhe shënon gola. E njëjta gjë dhe për Mujën. E njoh trajnerin e tij, Van Bomel, kemi luajtur të dy bashkë te Barcelona. Muja është lojtar që mund të luajë në pozicione të ndryshme. Nuk kam folur me trajnerin e tij, por Muja, meqë luan në shumë pozicione, mund të na bëjë mjaft punë. Ai jep shpirtin në fushën e lojës. Mendoj se të dy do të kenë minuta dhe do të na ndihmojnë shumë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd