Transmetuar më 02-09-2023, 09:49

Mbyllja e merkatos së verës u bë me zhurmë për Barcelonën, e cila siguroi dy përforcime prestigji të sigurt. Të tilla janë ardhjet “in extremis” të Joao Cancelo nga Manchester City dhe Joao Felix nga Atletico Madrid.

Xavi, definitivisht mund t’i fërkojë duart, sepse mund të shijojë zgjidhje të mëtejshme në dispozicion, për të aplikuar rotacionin nga java në javë. Një grup lojtarësh me të cilin pak trajnerë mund të mburren, veçanërisht nëse niveli i opsioneve në dispozicion është kaq i lartë.

Për dy portugezët, nga ana tjetër, Barcelona është një shans i madh për shëlbim, pas sezonit të kaluar që ishte gjithçka, veçse jo i mirë në nivel personal, madje i keq (në rastin e Joao Felix) edhe në nivel kolektiv.

Si Joao Cancelo, ashtu edhe Joao Felix zbarkuan në Katalonjë me formulën e huazimit të thatë, pa asnjë të drejtë apo detyrim për t’i blerë. Një domosdoshmëri e diktuar nga respektimi i kufijve ekonomikë të vendosur nga “Fair Play Financiar”.

Si anësori, ashtu edhe sulmuesi luzitan do të përpiqen të imitojnë bëmat e disa bashkatdhetarëve, që në të kaluarën lanë kujtime të shkëlqyera në Barcelonë. Mendimet kthehen menjëherë te Luis Figo apo Deco, vetëm dy nga shumë kampionë që kanë kaluar nëpër ato anë.

Edhe pse në fakt nuk mori pjesë në fazën e dytë me fanellën e “qytetarëve”, Joao Cancelo ende mund ta konsiderojë veten kampion evropian me Manchester City. 6 ndeshje luajti sezonin e kaluar në Champions League me anglezët, të cilët e huazuan në janar, me të drejtën e blerjes, te Bayern Munich.

Pasi fituan një tjetër Bundesligë radhazi në fund, bavarezët vendosën të mos paguanin për kartonin e tij. Cancelo u rikthye në oborrin e Guardiolës, por kishte mbetur shumë afeksion mes të dyve.

I njëjti skenar për Joao Felix, i huazuar nga Atletico Madrid te Chelsea në janar. Në Londër nuk la gjurmë, pati një eksperiencë zhgënjyese dhe tri ndeshje pezullim pas derbit kundër Fulham.

4 golat e tij në 20 ndeshje nuk i ndihmuan blutë për të shmangur fushatën katastrofike në Premier League, e cila përfundoi me vendin e 12-të në klasifikim. Asnjë kualifikim në Europë dhe aventura në Champions League përfundoi në çerekfinale, në duart e Real Madridit.