Aleksander Ceferin foli për mikrofonat e “L’Equipe”. Numri një i UEFA-s ka shprehur mendimin e tij për përjashtimin e Juventusit nga Kupat e Europës, pas procedurave ligjore të sezonit të kaluar:
"Së pari, është logjike që një klub që nuk ka respektuar rregullat është pezulluar. Është një vendim i marrë nga një organ i pavarur. Një klub nuk mund të dënohet në dhjetë vite nëse ka bërë diçka të gabuar tani. Ata nuk mund të vendosnin ta pezullonin Juventusin më 2028, duke pritur që të kualifikohet në Ligën e Kampionëve…
Për çdo klub, një sanksion si ky është i rëndësishëm. Do të thotë të humbasësh 40-50 milionë euro. Nuk është një çështje e parëndësishme, veçanërisht për Juventusin, një klub në telashe serioze financiare”.
Kreu i futbollit europian është treguar i kujdesshëm për sanksionet e mundshme ndaj presidentit të RFEF, Luis Rubiales, i cili është edhe një nga zv.presidentët eUEFA-s, ndërsa nuk pajtohet me veprimet e tij, puthjen në buzë të futbollistes së kombëtares spanjolle, gjë që e ka kryqëzuar në çdo drejtim:
"Ajo që bëri ishte e papërshtatshme, ne të gjithë e dimë këtë. Shpresoj që vetë ai ta dijë se ishte e papërshtatshme. Kjo është e mjaftueshme për momentin, sepse komisioni disiplinor do të vendosë.
Unë jam avokat dhe një nga nënkryetarët e FIFA-s. Rasti i tij është në duart e organit disiplinor të FIFA-s. Çdo koment që mund të bëj do të tingëllonte si presion. Më duhet të them vetëm se jam i pikëlluar që një ngjarje e tillë lë në hije triumfin e kombëtares spanjolle.
Duhet t’i ndryshojmë gjërat. Sot u takova me Laura McAllister (zëvendëspresidente e UEFA-s) për të gjetur mënyra për të ndryshuar mënyrën tonë të sjelljes. Duhet të bëjmë më shumë".
Për një sanksion apo pezullim të mundshëm nga funksionet e tij në UEFA, slloveni u shpreh i prerë: "Ai është i pezulluar nga të gjitha funksionet e tij, kudo. Nuk është e nevojshme të pezullohet dy herë".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd