Transmetuar më 31-08-2023, 23:33

Ballkani ia ka dalë të kualifikohet sërish për në grupet e Conference League. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja ka shkruajtur përsëri historinë, teksa eliminoi në Play Off skuadrën bjelloruse të Bate Borisov.

Ndeshja e parë në Kosovë u fitua 4-1 nga Ballkani, ndërsa sonte për të prerë biletën për në grupe mjaftoi një humbje e ëmbël 1-0 në Városi Stadion (Mezőkövesdi).

Goli në minutën e 30-të i Kontsevoy i dha shpresë Bate Borisov-it për përmbysjen e madhe, por ekipi nga Suhareka ruajti mirë avantazhin e sfidës së parë, duke marrë kështu një sukses historik.

Te Ballkani kanë arsye përse të festojnë dhe nata sonte do jetë e gjatë, me skuadrën e Superligës së Kosovës që i gëzohet përsëri kualifikimit në një kompeticion europian si Conference League. Kujtojmë që kjo skuadër luajti edhe në edicionin e kaluar në grupet e Conference League. Pjesëmarrja në grupet e Ligës së Konferencës shpërblehet me 2.94 milionë euro, një shifër kjo goxha e konsiderueshme, për një klub si Ballkani. Ndërkohë që për çdo fitore në ndeshjet e grupeve, shpërblimi është 500 mijë euro, ndërsa barazimi në grupet e Ligës së Konferencës vlen 166 mijë euro.

Shifra këto që do të kishin një ndikim të madh në arkat e klubit nga Suhareka që do të fuqizoheshin ndjeshëm për sezonet në vijim.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd