Transmetuar më 31-08-2023, 18:16

Arrestohet drejtori i Zjarrfikëses së Cërrikut, Artion Toci.

Mësohet se Taci akuzohet për “ushtrim ndikimi të paligjshëm” dhe për “krim zgjedhor”, teksa arrestimi i tij ka ardhur me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit. Ende nuk dihen detaje mbi hetimet, ndërkohë që pritet që në orët në vijim të dalin informacione shtesë.

Kujtojmë se Toci është ndaluar dhe më herët nga policia në muajin janar, pasi në atë kohë është kapur teksa drejtonte makinën e tij tip “Benz”, në gjendje të dehur. Nga testi i alkoolit, ai rezultoi në masën 2.0 mg/l, ndërsa në testin e dytë rezultoi me 1.225 mg/l.

Njoftimi i AMP-së së Elbasanit më 19 janar:

Sot, Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Elbasan-Korçë në bashkëpunim me Sektorin e Qarkullimit Rrugor pranë DVP Elbasan kanë kryer arrestimin në flagrancë të shtetasit A. T., 36 vjeç, me detyrë Shef i PMNZSH në qytetin e Cërrikut, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt në gjendje të dehur”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.

Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi ai ka qenë duke drejtuar automjetin tip Mercedez Benz në gjendje të dehur, në qytetin e Cërrikut. Nga testi i parë i kryer me aparatin Drager, ky shtetas rezultoi në masën 2.0 mg/l, ndërsa në testin e dytë rezultoi me 1.225 mg/l.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.