Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e ka cilësuar Fredi Belerin si një të burgosur politik të Edi Ramës. Në një lidhje live nga kampi i LRI në Jalë, për "Syri Televizion" Meta tha se skandalet nuk kanë të ndalur dhe se po mbivendosen njëri mbi tjetrin. Për Metën, situata në fjalë pasqyron gjendjen dramatike ku ndodhet shteti i së drejtës në vendin tonë, marrë shkas nga çështja Beleri. Po sipas tij, tregon për një mazhorancë të dhunshme, që nuk e njeh ligjin.
“Skandalet po mbivendosen njëri mbi tjetrin. Qeveria mbijeton, sepse kemi të bëjmë me kapjen e plotë të shtetit të realizuar prej një kohe të gjatë.
Do të jetë një proces tepër sfidues dhe ai i rimëkëmbjes së opozitës, por njëkohësisht është e pamundur që kjo qeveri t’i mbijetojë skandaleve. Unë besoj që ka një mirëkuptim të qartë që ballafaqimi me këtë mazhorancë të korruptuar, duhet të jetë ballor, dhe lufta kundër korrupsionit duhet të jetë intensive dhe e koordinuar.
Beleri një i burgosur politik i Edi Ramës. Të gjithë i mbajnë mend kërcënimet publike të Edi Ramës ndaj Belerit. Ai u rrëmbye nga policia e shtetit vetëm 48 orë para se qytetarët e Himarës të shkonin në kutitë e votimit.
Kjo situatë pasqyron thjesht gjendjen dramatike ku ndodhet shteti i së drejtës në vendin tonë. Tregon për një mazhorancë të dhunshme që nuk e njeh ligjin. Ne nuk mund t’i shmangemi sfidës të zgjedhjeve. Megjithëse jemi të bindur që vendi jonë është një vend ku standardet nuk ekzistojnë", tha Meta.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd