Transmetuar më 30-08-2023, 17:31

David Wisner, I ngarkuari me Punë nga SHBA, është takuar ditën e sotme me Kryeministrin Edi Rama. Lajmin e ka bërë të ditur në faqen e saj të Facebook, Ambasada Amerikane.

Në njoftim thuhet se takimi është zhvilluar në kuadër të partneritetit të ngushtë në Këshillin e Sigurimit dhe për të pohuar lidhjen e fortë të SHBA-së me Shqipërinë.

Sakaq, Wisner ka falënderuar Kryeministrin për mikpritjen e treguar ndaj afganëve. AMBASADA AMERIKANE: I NGARKUARI ME PUNË DAVID WISNER U TAKUA SOT ME KRYEMINISTRIN EDI RAMA PËR TË POHUAR SËRISH LIDHJEN E FORTË MES SHTETEVE TË BASHKUARA DHE SHQIPËRISË. ATA DISKUTUAN PARTNERITETIN E NGUSHTË TË VENDEVE TONA NË KËSHILLIN E SIGURIMIT TË KOMBEVE TË BASHKUARA, VEÇANËRISHT PËR UKRAINËN, SI DHE RËNDËSINË E MBËSHTETJES SË RINISË SHQIPTARE. WISNER FALËNDEROI GJITHASHTU KRYEMINISTRIN PËR MIKPRITJEN E JASHTËZAKONSHME QË SHQIPËRIA KA TREGUAR NDAJ AFGANËVE.

David Wisner, më 18 gusht të këtij viti, është mirëpritur nga Ambasada Amerikane në detyrën e tij në Shqipëri, së bashku me familjen e tij.

Në njoftimin në Facebook, shkruhet se David Wisner filloi detyrën e tij si Zëvendës Shef i Misionit dhe i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë në gusht 2023. Ai ka shërbyer më parë si Drejtues i Zyrës së Sigurisë Globale Ushqimore në Departamentin e Shtetit dhe para kësaj si Zëvendës Drejtor për Shtypin dhe Komunikimet Strategjike dhe si Zëdhënës në Byronë e Lindjes së Mesme. Ai ka shërbyer gjithashtu si Ndihmës i Posaçëm i Këshilltares së Departamentit të Shtetit Kristie Kenney, të cilën e ka këshilluar mbi çështjet e Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore.

David ka drejtuar Seksionin Politik dhe Ekonomik në Ambasadën e SHBA në Algjer, Algjeri dhe ka shërbyer në seksionet politike në Ambasadat e SHBA në Khartum, Sudan dhe Bangui, Republika e Afrikës Qendrore. David flet arabisht dhe frëngjisht dhe është diplomuar në Middlebury College në Vermont.

Wisner është shprehur se i pret me kënaqësi të mësojë më shumë për historinë dhe kulturën e saj të jashtëzakonshme. 

101-vjetori: Kujtojmë gjithashtu se rreth një muaj më parë, më 28 korrik ishte dhe 101 vjetori i marrëdhënie SHBA-Shqipëri.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden përmes një mesazhi të veçantë në 101 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri, dërgoi urimet “e përzemërta për miqësinë jetëgjatë”.

Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u jetësuan  më 28 korrik 1922.

Kjo pak muaj pas përfundimit të Konferencës së Paqes në Paris, ku presidenti amerikan Wilson doli në krah të vendit tonë. Ambasadori i parë amerikan në Tiranë ishte Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik më 4 dhjetor 1922.