
U desh një seancë e tërë merkatoje, por në fund ‘Friedkins’ e kënaqën Josè Mourinhon. Premtimet e qershorit u respektuan me vullnetin e ‘Special One’ për të konfirmuar Dybala dhe shtuar një blerje të nivelit të lartë për sulmin, duke marrë parasysh dëmtimin afatgjatë të Abraham.
Profili i gjurmuar nga portugezi kishte qenë ai i Alvaro Morata, por koha dhe kostot nuk konverguan me nevojat e Romës. Për këtë, Pinto dhe Friedkins duhej të prisnin dhe të shihnin se çfarë do të ofronte tregu nga korriku deri në fund.
Fati do ta sillte që Romelu Lukaku të ishte ende në ‘ankand’. Kokëfortësia e drejtuesve dhe pronarëve të Romës bëri pjesën tjetër, duke sjellë në kryeqytet opsionin më të mirë në treg, qoftë edhe për një vit.
Presidenca kombinoi ambiciet e Mourinhos dhe nevojat ekonomike të klubit në të njëjtën kohë. Megjithëse merkatoja e verdhekuqve u përfundua pak me vonesë, pronarët tashmë kanë një objektiv të qartë. Atë ia kanë bërë të qartë edhe trajnerit.
Pas një vendi të shtatë dhe të gjashtë, shoqëruar me fitimin e Ligës së Konferencës dhe finalen e Budapestit në ‘Europa League’, tashmë Dan dhe Ryan Friedkin duan të rikthehen në Champions League.
Synimi, pra, është të përfundojmë në 4 skuadrat e para të Serie A, edhe pse ‘Special One’, i pyetur konkretisht të premten e kaluar në konferencën për shtyp, do të thoshte se edhe me Lukakun ‘do të duhej një mrekulli’.
Një çështje këndvështrimi, por nëse pronarët janë përpjekur gjithmonë ta kënaqin atë që nga ardhja e tij (shih blerjet e Dybala, Wijnaldum, Renato Sanches dhe Lukaku), tani është koha që trajneri portugez të kthejë atë që ka marrë.