
Qendërsulmuesi i ri i Romës nuk ka zbarkuar ende në kryeqytetin italian, por tashmë ka një mural që e paraqet në rrugët e lagjes “Monti”. Qartësisht, “Lukaku-mania” i ka pushtuar këto orë tifozët verdhekuq, të cilët presin që sulmuesi belg të aterrojë rreth orës 17:00 të kësaj të marte në aeroportin e Romës. Me një bomber të tillë, ata ëndërrojnë të rikthehen në garën për titull në Serie A.
Lajmi për ardhjen zyrtare të qendërsulmuesit belg shkaktoi eufori dhe entuziazëm. Gjatë natës, në “via dei Capocci”, versioni gladiatori i Lukakut u shfaq në një mur. Dëshira e “Anonymous 74”, autorit të muralit, është që Lukaku të ketë të njëjtën dëshirë për të luftuar në fushë si një gladiator.
Jo si çdo njeri, por saktësisht Massimo Decimo Meridio i luajtur nga Russell Crowe, me përkrenaren në dorë, sfondin verdhekuq dhe buzëqeshjen verbuese. Poshtë mbishkrimi "ROMELV", me “v” në vend të “u”, në stilin e Romës së lashtë. Pas atij të José Mourinhos mbi vespa, si mesazh publik mirëseardhjeje në kryeqytetin italian, Roma tani ka edhe një mural të ri.