
Trajneri i Liverpool-it, Jürgen Klopp, iu është rikthyer zërave të merkatos mbi transferimin e mundshëm të Mohamed Salah në Arabinë Saudite, prej nag ka marrë ofertë stratosferike.
“Salah është një lojtar me shumë eksperiencë. Ai është i përkushtuar të jetë këtu, te Liverpool, të qëndrojë në këtë klub”, – janë fjalët e Jürgen Klopp, që nuk mbartin siguri absolute brenda.
Thashethemet po qarkullojnë dhe ditët e fundit sulmuesi egjiptian ishte shumë pranë transferimit në Arabinë Saudite. Një mundësi që trajneri i Liverpool-it e mohoi menjëherë, por në realitet është më e gjallë se kurrë dhe që mund të ndodhë pikërisht kur merkatoja të mbyllet për anglezët, por jo sauditët.
"Nëse Momo Salah do të vendoste të largohej nga Liverpool-i me tregun e transferimeve të mbyllur, do të ishte një katastrofë për ne, – potencoi Klopp për “Sky Sports”. – Nuk mund të kërkonim një zëvendësues për egjiptianin dhe kjo do të prishte sezonin tonë. Kjo është arsyeja pse unë i kërkova FIFA-s të ndërhynte”.
Kujtojmë se merkatoja për klubet europiane mbyllet më 31 gusht në mesnatë, ndërsa në Arabinë Saudite vazhdon deri më 20 shtator. Pra, në këto 20 ditë ekstra që kanë klubet saudite, mund të bastisin cilindo me paratë “lumë” që po hedhin për yje të ndryshme. Pikërisht kjo gjë duket absurde nga Klopp, ndaj i ka kërkuar FIFA-s që merkatoja të mbyllet për të gjithë në të njëjtën ditë.