Transmetuar më 28-08-2023, 10:22

Policia greke po përpiqet të zgjidhë enigmën pas të shtënave jashtë shkollës Panormos në Athinë.

Dy persona, që nuk njiheshin me njëri-tjetrin, mbetën të plagosur. Bëhet fjalë për 32-vjeçarin shqiptar Jorgo Zeneli dhe një 20-vjeçare greke.

Ngjarja është e mbuluar me mister pasi nuk ka asnjë dëshmitar dhe asnjë gëzhojë.

Ajo që po hetohet është nëse 32-vjeçari shqiptar i plagosur, i skeduar për raste droge, ka qenë viktimë e një sulmi mafioz dhe 20-vjeçarja ka mbetur e plagosur rastësisht.

Përmes kamerave në zonë, oficerët e hetimit po tentojnë të përcaktojnë rrugën e personit/personave të armatosur për të arritur në gjurmët e tij/tyre, ndërsa përmes profilit të shqiptarit po tentojnë të shohin nëse plumbat vijnë për shkak të së kaluarës së tij.

Por çfarë deklaroi vajza greke?

Gjithçka nisi pak pas orës 20:00, kur në Qendrën e Veprimit të Menjëhershëm u raportua për të shtëna jashtë Liceut të 16-të në Panormou. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, por nuk ka gjetur të lënduar.

Pak minuta më vonë dhe ndërkohë që hetimet në vendngjarje vijonin, mjekët e spitalit “Erythros” telefonuan policinë dhe bënë të ditur se në spital kishin mbërritur dy persona të plagosur me armë zjarri.

Një 20-vjeçare greke me plagë në kofshën e djathtë dhe një shtetas shqiptar 32-vjeçar me plagë në shpatull.

Sipas vajzës, të dy nuk njihen me njëri-tjetrin, kanë qenë duke kaluar pranë vendit të ngjarjes në momentin kur janë plagosur.

Policia deri më tani nuk ka gjetur gëzhoja. 32-vjeçari shqiptar ishte në kërkim për çështje droge dhe më parë ka qenë i arrestuar si anëtar i një organizate kriminale.

E kaluara e tij është vënë në mikroskop për të përcaktuar nëse ai ka ndonjë lidhje me të shtënat dhe nëse ka qenë objektivi i personave të armatosur.