
Pikërisht dy javë pas dorëheqjes së tij si trajner i kombëtares italiane, Roberto Mancini është gati të “gradohet” sërish. Zbarkimi i tij në Arabinë Saudite është zyrtarizuar, ku do të drejtojë kombëtaren vendase.
Kështu konfirmohen zërat që e shihnin Mancinin gati për të rifilluar në anën tjetër të botës, pas përvojës me ulje dhe ngritje në stolin e Italisë. E ardhmja e tij është Arabia Saudite e artë, toka e Cristiano Ronaldos, Benzema dhe shumë kampionëve të Evropës në futboll.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, tashmë ka një datë për prezantimin zyrtar të “Mancios”, për shtypin dhe tifozët vendas: sot, e hënë, 28 gusht. Ceremonia, e planifikuar në një hotel në kryeqytetin e Riadit, do të zhvillohet pasdite në orën 17:00 me orën lokale, ose 16:00 me orën italiane.
I am excited to announce that I am joining the Saudi Arabia Football Federation as Head Coach of the National Team. I am delighted and honored to have been selected for such prestigious role, as a sign of appreciation and recognition for all the work done during these years. pic.twitter.com/lW2pF0rVar
— Roberto Mancini (@robymancio) August 27, 2023
Roberto Mancini ia ka besuar fjalët e tij të para si komisioneri i ri teknik i Arabisë Saudite një postimi të publikuar në profilin e tij në Twitter:
“Jam i emocionuar të njoftoj se do t’i bashkohem Federatës së Futbollit të Arabisë Saudite si trajner i ekipit kombëtar. Jam i lumtur dhe i nderuar që jam zgjedhur për një rol kaq prestigjioz, është një shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për gjithë punën e bërë ndër vite”.
Debutimi i Mancinit si trajner i Arabisë Saudite do të bëhet të premten, më 8 shtator, ditë në të cilën kombëtarja saudite do të përballet me Kosta Rikën në një miqësore. Ndeshja do të luhet në “St. James’ Park” të Newcastle.
Mancini ka gjetur marrëveshje me Federatën Saudite mbi bazën e një kontrate 4-vjeçare, pra deri në vitin 2027. Ai do të fitojë 25 milionë euro neto në vit.