Transmetuar më 25-08-2023, 22:49

Këtë vit, Shqipëria dhe kryesisht Ksamili janë promovuar në masë nga media të ndryshme ndërkombëtare.

Janë të shumta rastet kur Ksamili është cilësuar si “Maldivet e Europës” për shkak të ujit të kristaltë dhe plazheve të bukura.

Por turistët që kanë vizituar Ksamilin kanë mbetur tepër të zhgënjyer dhe këtë e kanë reflektuar edhe në vlerësimet e tyre në platformën ndërkombëtare TripAdvisor.

Në pranverë, Ksamili në këtë platformë TripAdvisor kishte 5 nga 5 vlerësimet e mundshme. Por tani që jemi në fund të gushtit dhe sezoni është drejt fundit ky vlerësim ka zbritur në 2, bazuar në përshtypjet që kanë dhënë vetë ata që e vizituan Ksamilin.

Në komentet e turistëve në këtë platformë duket qartë zhgënjimi i tyre për shërbimin, sjelljen e banorëve vendas që kanë hotelet, apartamentet apo restorantet.

Disa prej komenteve të turistëve:

Shumë i shtrenjtë dhe sjellje arrogante nga vendasit. Po, uji është i pastër, por vetëm nëse shkoje herët në mëngjes. Nuk ka plazh publik dhe më është kërkuar të paguaj mbi 100 euro për dy shezlonge. Çmimi që kam paguar për taksi është i krahasueshëm me një shërbim premium në Londër dhe shpesh të ndryshojnë çmimin ndërkohë që ju jeni brenda në taksi. Udhëtimi më i mirë… të mos shkosh”, shkruan Ivana nga Britania e Madhe.

“Njerëz të pasjellshëm. 10 euro parkimi dhe duhet të ecësh 30 minuta të gjesh një plazh që nuk është rezervuar plotësisht. Mbipopullim”, shkruan Fjore nga Britania e Madhe.

“Ne erdhëm, qëndruam një natë dhe u larguam përsëri. Vend i mbipopulluar me hotele dhe apartamente të ndërtuara ngado jashtë çdo logjike. Çdo gjë është ndërtuar për biznes pa respekt për natyrën e bukur”, shkruan Ivana nga Italia.

“Hera ime e parë në Ksamil dhe e fundit. Përvoja më e keqe që kam pasur në Shqipëri. Banorët vendas dhe bizneset kanë zero mikpritje, thjesht rendin pas parasë”, shkruan Sofia.

“Ata na anuluan dhomën që kishim rezervuar dy muaj më parë sepse dikush tjetër iu kishte dhënë një çmim më të mirë. Vendi është krejt ndryshe nga fotot. Rrugët janë plot trafik dhe plzhet shumë të shtrenjta pa arsye. Është i vetmi vend në Shqipëri ku nuk do të shkojë më. Ky vend është një makth”, shkruan një pushues tjetër.