
Ka lindur në Gjermani, por ndihet shqiptar 24-karatësh. Është një luftëtar i vërtetë në fushën e lojës, çka dëshmon për gjakun dardan që lëvrin në dejet e tij. Futbollin e vërtetë e nisi te Partizani në vitin 2016, për t’u rritur hap pas hapi me transferimet te Velje BK, MTP Budapest, Aberdeen dhe së fundi në Serie A, te Lecce.
Plot 12 vite sakrificë larg familjes, sikurse e pohon edhe ai vetë, për të realizuar ëndrrën e madhe të karrierës në futboll, të luante një ditë në Serie A. Pikërisht në këtë kampionat të madh debutoi fundjavën e kaluar.
Ky është Ylber Ramadani, mesfushori që ka luajtur edhe 25 ndeshje me kombëtaren e madhe shqiptare, duke shënuar një gol. Në rrëfimin e gjatë që bën për gazetën skoceze “Daily Record”, 27-vjeçari nga Ferizaj rrëfen rrugëtimin e deritanishëm në futboll. Ja shkrimi i plotë i gazetës së njohur britanike:
“Ylber Ramadani nuk mundi ta refuzonte mundësinë për të luajtur në Serie A, sepse ishte ambicia e tij e zjarrtë për të luajtur në një nga ligat më të mira evropiane. Ndërkombëtari shqiptar bëri kalimin e tij “shtatë figurash” nga Aberdeen te Lecce në fillim të këtij muaji.
Ramadani kishte krijuar një raport të vërtetë me “Ushtrinë e Kuqe” dhe ishte imponuar si titullar i fortë në sezonin e kaluar, teksa kishte luajtur një rol të madh në renditjen në vendin e tretë dhe kthimin në Evropë. Ishte e vështirë të largohej nga Aberdeen, por e dinte se i kishte mbërritur në derë mundësia për të përmbushur ëndrrën e tij të futbollit.
Ramadani pohoi për “Daily Record”: “Është një hap i madh për mua dhe më është dashur ta bëj. Kur isha fëmijë, gjithmonë ëndërroja të luaja në një nga ligat më të mira në botë. Serie A është liga e dytë më e mirë në botë dhe për mua është një ëndërr e realizuar. I thashë babait se kam 12 vite që jam larguar nga shtëpia dhe gjithmonë kam besuar se do t’ia dilnim.
Kështu që kur erdhi rasti, më duhej t’i thosha Dave (Cormack, kryetar), Alan (Burrows, shef ekzekutiv) dhe Steven (Gunn, drejtor i futbollit të Aberdeen) se duhet të lëviz, sepse kjo është ëndrra ime për të luajtur në Serie A. Dua ta falënderoj Aberdeen sepse ma kanë dhënë këtë mundësi dhe e kanë lejuar të ndodhë”.
Ëndrra e mesfushorit shqiptar u bë realitet në fundjavë, kur debutoi në Serie A dhe ndihmoi Lecce të fitonte në ndeshjen inauguruese ndaj Lazios. “Ligën italiane e njoh mirë sepse e shikoj çdo fundjavë, – pranoi 27-vjeçari.
– Më pëlqen projekti i Lecce. Këtu po investojnë, kërkojnë të përmirësohen. Objektivi është qëndrimi në Serie A dhe të renditemi më lart se sezonin e kaluar. Mezi pres të luaj në disa stadiume më të mira dhe gjithashtu në Lecce, kemi një tifozëri të madhe në shtëpi. Ndeshja e parë kundër Lazios ishte mjaft emocionuese për mua”.
Ramadani do të jetë gjithmonë borxhli ndaj Aberdeen dhe e di mirë që, nëse Jim Goodwin nuk do ta kishte marrë nga MTK Budapest verën e kaluar, atëherë nuk do të ishte në Itali tani. Ramadani tani e ka ndërruar fanellën e tij të Aberdeenit me “Ushtrinë e Kuqe” dhe do t’i gëzojë ata kur të shkojë në “play-off” e “Europa League” kundër BK Hacken.
Ai tha: “Aberdeen do të jetë gjithmonë në zemrën time dhe në atë të familjes sime. Klubi më trajtoi sikur të kishim qenë së bashku prej 20 vitesh. Ishte emocionuese për mua kur u largova. Shumica e fansave më donin dhe ata ende më dërgojnë mesazhe. Koha ime tek Aberdeen ka qenë një nga periudhat më të mira në karrierë, deri më tani.
Të gjithë më mirëpritën që nga dita e parë, Dave, Steven dhe Jim (Goodwin). E dija se do të bëja mirë tek Aberdeen, sepse besoj në veten time. Ishte hapi më i mirë në karrierën time për të kaluar tek Aberdeen dhe kjo është një kohë që nuk do ta harroj kurrë”.
Pikat kryesore për Ramadanin ishin fitorja ndaj Rangers dhe ndeshja ndaj St Mirren, që siguroi vendin e tretë. Ai me krenari tha: “Kur mundëm Rangers në shtëpi dhe gjithashtu kur mundëm St Mirren për të fituar vendin e tretë dhe kualifikimin evropian.
Ishin ndeshjet më të spikatura. Kur fola për herë të parë me klubin, iu thashë se dua të vij dhe të sfidoj tri vendet e para në ligë. Jam shumë i lumtur që e bëmë këtë, sepse klubi e meritonte. Është një klub i madh dhe ne ia dolëm. Pati ulje-ngritje, por ne ia dolëm të arrijmë atje”.
Ramadani pati zhgënjimet e tij tek Aberdeen, sidomos në një janar katastrofik, ku humbën ndaj Darvel në Kupën e Skocisë, rezultatet shkuan në rënie të lirë dhe Jim Goodwin pagoi çmimin. Ecuria u përmirësua përsëri kur Barry Robson mori drejtimin. Ai pati ndikim të madh te mesfushori shqiptar, sepse e kaloi nga i tërhequr në më shumë "box-to-box". Kjo e çoi karrierën e Ramadanit në një nivel tjetër.
Ramadani, i cili shënoi golin e tij të vetëm me Aberdeen kundër Hibs, pranoi: “Barry më ndihmoi shumë. Ai më çoi përpara. Dua ta falënderoj atë dhe të gjithë trajnerët që ishin aty. E telefonova Barry për ta falënderuar dhe ai më tha: Më duhet të të zëvendësoj, çfarë po bën? Unë i thashë shefit: Më duhet ta bëj këtë lëvizje”.