Transmetuar më 22-08-2023, 20:44

Platformat televizive me pagesë, Tring dhe Digitalb do të bashkohen në një të vetme, raporton noa.al duke cituar burime nga Tring, pjesë e kompanisë ASC.

Noa.al mëson se bashkimi do të zyrtarizohet publikisht në muajin shtator.

Ndërkohë ka nisur shkrirja e programeve sportive: Serie A e kampionatit italian të futbollit po transmetohet në të dyja platformat, pa ekskluzivitet.

Shkrirja pritet të marrë kohë, pasi abonentët marrin shërbime krejt të ndryshme nga dy kompanitë.

Digitalb, lindur më 2004, megjithë angazhimet e marra në vite, nuk arriti kurrë të sigurojë shërbim interneti për abonentët.

Në të kundërt, Tring funksionon që nga viti 2006 me shërbime të plota, duke përfshirë internet adsl, vdsl dhe fibër optike.

Ajo ofron edhe telefoni fikse dhe platformën televizive.

Digitalb ofron transmetim televiziv përmes valëve dixhitale tokësore dhe satelitore. Prej një viti, kompania nisi dhe shërbimin novator me aplikacion për smart TV dhe celularë, një shërbim që praktikisht ka ndryshuar mënyrën si shihet televizion.

Në këtë aplikacion përfshihen rreth 100 kanale, duke ofruar dhe shikimin e programeve të 24 orëve të mëparshme. Megjithatë ky shërbim ofrohet vetëm për disa prej kanaleve.

Digitalb ka në aplikacion ashtu si dhe në dekoderin flybox, një videotekë ku gjenden filma e seriale.

Tring ofron rreth 140 kanale në iptv dhe aplikacion, që e lançoi njëkohësisht me Digitalb. Pikë e fortë për Tring TV duket se është përfshirja e disa kanaleve lokale, duke thithur dhe audiencën e rretheve.

Në ditët në vazhdim noa.al do të ofrojë informacion më të detajuar për bashkimin e dy kompanive. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd