Transmetuar më 21-08-2023, 18:53

Për herë të parë, Shqipëria do të mundësojë realizimin e procedurës së riprodhimit invitro falas.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se kjo do të realizohet brenda këtij viti në maternitetin “Koço Gliozheni”.

“Puna nuk po ndalet dhe për Qendrën e Riprodhimit të Asistuar, ku brenda këtij viti, ashtu sikurse kishim premtuar, do të fillojmë këtë procedurë të re. Ne jemi duke punuar për investimin sa i përket infrastrukturës, e më tej, pajisjet bio-mjekësore dhe të gjithë paketën e barnave të cilat janë të nevojshme, për të filluar riprodhimin e asistuar për herë të parë në spitalet publike. Jemi duke punuar për përgatitjen e stafit dhe për fuqizimin e kapaciteteve në këtë drejtim, në mënyrë që të kemi dhe një ekip të mirë-trajnuar, i cili do të vazhdojë edhe edukimin në vazhdim përsa i përket këtyre procedurave, të cilat, për herë të pare, do të realizohen në spitalin publik, pikërisht në Maternitetin ‘Koço Gliozheni’”, tha ministrja Manastirliu.

Këto deklarata, ministrja i bëri teksa inspektoi punimet që po kryhen në Maternitetin “Koço Gliozheni”, në Qendrën e Gruas, Urgjencës dhe Qendrën e Riprodhimit të Asistuar (fertilizimit invitro).

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd