
Hyrja e Arabisë Saudite në tregun e futbollit ka qenë shpërthyese. Cristiano Ronaldo hapi “kutinë” dhe pas yllit portugez "basti" është shumëfishuar. Pro Liga Saudite diktoi ritmin e merkatos dhe çdo ditë "basti" dyfishohet. Vendi i Lindjes së Mesme filloi të ofrojë shumë para për lojtarët, por tashmë ka arritur në epokën e transfertave të mëdha (pothuajse 100 milionë euro për Neymar) dhe nuk do të ndalet.
Në futbollin europian kanë filluar të ndërgjegjësohen se konkurrenca do të jetë e ashpër. Me para është e pamundur të luftohet me sheikët e Lindjes së Mesme, me klubet-shtete. As Premier League shumëmilionëshe nuk është në gjendje të frenojë dëshirën për transferime të katërshes së madhe në Arabi; Al Hilal, Al Ahli, Al Nassr dhe Al Ittihad. Ato kanë hyrë me forcë në treg dhe kanë marrë jo pak nga yjet e Europës.
Më 1 shtator mbyllet merkatoja verore në një pjesë të madhe të futbollit europian. Por ka një surprizë të minutës së fundit. Liga e Arabisë Saudite nuk e mbyll merkaton e saj deri më 20 shtator. 20 ditë shtesë që mund të "shtypin" çdo skuadër evropiane sa hap e mbyll sytë.
Me "duart e lidhura" (merkatoja e mbyllur, përveç klauzolave) dhe me nevojën për të balancuar llogaritë, në Europë ka mundësi që të mëdhenjtë e Arabisë të sulmojnë në atë periudhë shtesë për të firmosur me kë të duan. Dhe do të jetë e vështirë t’i ndalojë ndokush, nëse ofertat si për klubet, ashtu edhe për lojtarët do të jenë të pakundërshtueshme.
Deri më 20 shtator, kërcënimi do të jetë konstant ndaj skuadrave që kanë luajtur tashmë një numër të mirë ndeshjesh në ligë. Askush nuk është i sigurt nga një super ofertë duke parë se si yjet kanë lënë Europën për Arabinë Saudite.
Neymar, Benzemá, Kante, Maximin, Kessié, Mahrez, Firmino, Malcom, Savic, Koulibaly, Mendy, Neves, Henderson, Fabinho, Mané, Telles, Fofana, Diallo…, lista e yjeve po rritet dita-ditës dhe Pro Liga Saudite është "blinduar". Me 20 ditë ekstra në merkato, sauditët mund të shkatërrojnë çdo klub, sado i madh të jetë. A mund të marrin Pedri, Vinicius, Griezmann…? Ju kurrë nuk e dini. Tensioni do të jetë aty…