Transmetuar më 18-08-2023, 08:35

Partizani e kaloi me sukses edhe raundin e tretë eliminator të “Conference League”, duke eliminuar letonezët e Valmiera. Pas fitores 2-1 në transfertë, kampionët e Shqipërisë fituan 1-0 edhe në kthim, mbrëmë në “Elbasan Arena”.

Tashmë të kuqtë i ndan edhe një rival, ai i “play off”-it për të bërë histori, për t’u kualifikuar në fazën e grupeve të këtij kompeticioni europian. Natyrisht, tani shtohet edhe Superiorja, që pritet të nisë, bëhen disa “kunguj në sqetull”, gjë për të cilën duhet t’i marrë masat trajneri Zoran Zekic.

Duke folur pas kualifikimit ndaj Valmiera, trajneri kroat i Partizanit u shpreh: “Sonte çfarë nuk ndodhi. Mendoj se nuk kemi fuqi ta shohim përsëri këtë ndeshje. Kishte shumë gjëra të mira e shumë jo të mira.

Pas 10 minutash kishim kontrollin e lojës, por ne nuk dinim si të pasonim për atë që ishte në pozicion më të mirë për të dyfishuar shifrat. Kështu do të ishte shumë më e lehtë për ne. Valmiera duhej të sulmonte për të shënuar. Nuk kërkoj alibi, por ne po punojmë prej 7 javësh, djemtë kishin 10 ditë për të pushuar pas kampionatit.

Tani kemi probleme me freskinë dhe fuqinë fizike. Në ditët e fundit kemi humbur 3-4 lojtarë, një u dëmtua dhe nuk kemi zgjidhje. Kemi edhe probleme taktike, por ky është problemi kryesor sot. Jo të gjithë kanë eksperiencë për Europën, e kemi thënë, shumë lojtarë ndjejnë presionin, sepse të gjithë duan të shkojnë në ‘play-off’ e Ligës së Konferencës.

Nuk më kujtohet kur kam qenë i lodhur sa sonte, por jam shumë i lumtur. Tani kemi një situatë të re, luajmë ndaj Astanës, një udhëtim i gjatë. Mund të pushojmë pak, nuk di të them se sa do të pushoj, a do të fle i qetë. Nesër do të përgatitemi, kemi karakter.

Astana është një nivel tjetër, duhet të përgatitemi mirë. Atanaskoski ka karton të verdhë dhe nuk mund të luajë. Duhet të dimë se çfarë do të ndodhë me Mba, Mensah. Edhe Saliou nuk është. Pa u ankuar, duhet t’i gëzohemi kualifikimit.

I kam parë ndeshjet e Astana, të dyja ndaj Dinamo Zagrebit. Kam parë edhe ndeshjen e parë me Ludogorets, çdo kundërshtar është shumë special e duhet të përgatitemi për këtë. Për pak ditë starton edhe kampionati? Duhet të mendojmë edhe për këtë, e kam thënë që nuk kemi bërë përgatitjet si duhet për kampionatin.

Ky është një problem, ne e luajmë ndeshjen e parë në kampionat shpejt. Shpresoj që çdokush të jetë i shëndetshëm. Të gëzojmë sonte e mendojmë për Astanën, pastaj të shohim situatën tonë, kjo është jeta”.