
Jo vetëm një nënshkrim faraonik, që mund ta çojë atë të arkëtojë 320 milionë euro nga kontrata 2-vjeçare mes pjesës fikse dhe bonuseve, por edhe një sërë përfitimesh të pabesueshme për Neymar, i cili është gati të nisë aventurën e tij të re në Pro Ligën Saudite me fanellën e Al-Hilal.
Pra, nuk do t’i mungojë asgjë yllit brazilian, të rrëmbyer nga sauditët prej PSG (për 80 milionë euro, plus bonuse, që mund të arrijnë në 120 milionë euro), i cili do të ketë në dispozicion një avion privat (si Cristiano Ronaldo), një vile, në madhësinë e një lagjeje, tre kuzhinierë personalë dhe mundësinë për t’i shtuar rreth 80 mijë euro rrogës së majme për çdo fitore, si dhe 500 mijë euro për çdo postim në Instagram, ku do të promovojë imazhin e Arabisë Saudite.
Neymar, siç është bërë tashmë përjashtim për CR7 me Georgina, do të lejohet të jetojë me partneren e tij Bruna Biancardi, diçka e ndaluar në Arabinë Saudite për çiftet, nëse nuk janë të martuar. Tabloidi anglez “The Sun” zbuloi detaje të tjera, sipas të cilave sulmuesi 31-vjeçar brazilian kërkoi gjithashtu “një pishinë të paktën 10 metra të gjerë dhe 40 metra të gjatë”, “tri sauna” etj.
Ndër kërkesat e tjera figurojnë tri makina luksoze për veten dhe shoqëruesit e tij, katër ‘Mercedes G Wagon’ dhe një furgon ‘Mercedes’ me shofer në dispozicion 24 orë në ditë, çdo ditë të vitit për veten, miqtë dhe familjen. Flota e makinave do të përfshijë gjithashtu një ‘Bentley Continental GP’, një ‘Aston Martin DBX’ dhe një ‘Lamborghini Huracan’.
Dhe së fundi, Neymar ka kërkuar që të gjitha shpenzimet e qëndrimit të tij në hotele, restorante dhe qytete të vizituara në ditët e tij të lira të mbulohen nga pronarët e Al-Hilal. Gjithashtu, frigoriferi i tij të jetë gjithmonë i pajisur me markën e tij, lëngun e preferuar Açaí, por edhe pije guarana për miqtë dhe familjen.