Transmetuar më 17-08-2023, 10:08

TIRANË- Një 23 vjeçar u arrestua pasi vodhi 11 targa automjetesh në kryeqytet. I riu me inicialet J.L ka vjedhur 11 targa automjetesh në Yzberisht, Kombinat dhe Misto Mame. Në momentin e arrestimit J.L u kap në flagrancë duke vjedhur targat e një automjeti.

Gjatë kontrollit iu gjetën 13 targa automjetesh të vjedhura, 11 prej të cilave i kishte vjedhur vetëm gjatë ditës së djeshme. Këto targa do të dërgoheshin jashtë Shqipërisë dhe do të përdoreshin për veprimtari kriminale. 23 vjeçari ka qenë i dënuar edhe më parë në Belgjikë për vepra penale në fushën e narkotikëve.

Policia e kryeqytetit informon se shërbimet e komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, kapjen e shtetasve që kryejnë vjedhje dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Plate number”. Si rezultat, u kap në flagrancë duke vjedhur targat e një automjeti, në “Misto Mame”, dhe u vu në pranga, shtetasi J. L., 23 vjeç, banues në Pogradec, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Belgjikë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, po gjatë ditës së djeshme, ka vjedhur targat e 11 automjeteve të ndryshme, në zonën e Yzberishtit, Misto Mames dhe të Kombinatit. Nga veprimet hetimore dyshohet se targat e vjedhura do të dërgoheshin jashtë Shqipërisë dhe do të përdoreshin nga shtetas të tjerë, për veprimtari kriminale.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 targa të shteteve të ndryshme, të vjedhura. Vijon puna për dukumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale’