Transmetuar më 17-08-2023, 09:33

Jack Grealish zbuloi se nuk do të kishte festime të forta për të dhe shokët e tij të skuadrës së Manchester City pas fitimit të Superkupës Europiane në Athinë. Grealish zbuloi se Pep Guardiola i kishte ndaluar lojtarët e tij nga çdo festë e tepruar, pasi mposhtën Sevilla me penallti për të fituar Superkupën e UEFA-s.

Grealish dhe shokët e tij të skuadrës u nisën për në Ibiza menjëherë pasi fituan Ligën e Kampionëve, përpara një parade të bujshme të titullit. Anësori anglez vazhdoi të festonte gjatë gjithë verës. Tashmë, me Newcastle përballë të shtunën, City do të duhet t’i eliminojë festimet dhe harbimet e tepruara.

"Jo, trajneri vendosi një ndalim për këtë, – tha Grealish për ‘TNT Sports’, pasi City mundi Sevilla 5-4 nga penalltitë, pas barazimit 1-1 në Athinë, në kohën e rregullt. – Dëgjoni, ne do të shkojmë në shtëpi sonte, do të hamë ushqim të këndshëm dhe do të qetësohemi. Kemi një ndeshje tjetër përpara…, çfarë dite është? Pas tri ditësh. Rikuperim dhe më pas hidhemi në Premier League".

Grealish tha gjithashtu se Guardiola ua kishte bërë të qartë lojtarëve se Superkupa Europiane nuk ishte një lojë ekspozite, iu tregoi atyre rëndësinë e fitimit të saj në mënyrë që të zgjerohej më tej “kabineti” i trofeve të City:

"E pabesueshme. Trajneri e bëri të qartë se sa shumë dëshiron që Manchester City ta fitojë këtë trofe… Mund ta shihni se çfarë do të thotë tani. Ky klub ka qenë kaq i suksesshëm dhe kjo është ajo që ne e kemi pritur, sepse kemi fituar Ligën e Kampionëve”.