Transmetuar më 17-08-2023, 08:19

Shtigjet ekzistuese dhe mundësitë e shtigjeve të reja në zona që po marrin gjithmonë e më shumë vëmendje turistike pritet që të kalojnë një proces dixhitalizimi që synon lehtësimin e aksesit të tyre për vizitorët.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore tashmë ka shpallur kompaninë fituese për kontratën “Shtigjet në zonat e mbrojtura: Studimi, përmirësimi, mirëmbajtja, markimi dhe hapja e shtigjeve të reja, dixhitalizimi për aksesin e tyre online”. Referuar dokumenteve, procedura synon zhvillimin gjithëpërfshirës të zonave dhe të territorit të tyre nëpërmjet krijimit te një sistemi të integruar të shtigjeve për ecje në natyrë si bazë për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm në zonat me vlera të larta natyrore.

“Kjo do të shërbejë për tërheqjen e vizitorëve vendas dhe të huaj si dhe për zgjatjen e kohës së qëndrimit të tyre si dhe do të ofrojë kushte për zhvillimin e ekonomisë lokale dhe të cilësisë së jetës për banorët lokalë. Nëpërmjet këtij projekti parashikohet të përmirësohet oferta turistike e në të njëjtën kohë të bëhet mirëmbajtje e zonave të mbrojtura” argumenton AKZM. Projekti në fjalë ka të paktën shtatë objektiva ku së pari analizimi i gjendjes aktuale të shtigjeve ekzistuese. Së dyti hartimi i projektit të zbatimit për punimet e mirëmbajtjes për krijimin e hapësirave për pushim gjatë ecjes në shteg, ballkoneve panoramikë dhe sinjalistikës së 5 shtigjeve.

Së treti unifikimi i shënjimit të shtigjeve. Së katërti shqyrtimi për mundësinë e hapjes së shtigjeve të reja që përfshijnë në rrugëtim monumente natyrorë ose kulturorë. Së pesti krijimi i 100 guidave në format libërthi që përfshin jo vetëm hartat e shtigjeve por edhe informacion mbi zonën e mbrojtur.

Ngritja e një platforme online në formën e një website e cila do të përmbajë të gjithë informacionin që gjendet në terren në formë të dixhitalizuar. Së fundmi ngritja e kapaciteteve për të kataloguar informacion e për ta vendosur atë në platformë.

Projekti në fjalë i nisur nga AKZM merr një rëndësi të veçantë në kontekstin e bum-it turistik të vendit ku interesi është në rritje si për turizmin e rërës por edhe për atë të aventurës. Mungesa e informacionit online por edhe mosunifikimi i shtigjeve sa i takon sinjalistikës ka bërë që në disa raste turistët të humbasin e në të tjera akoma edhe për shkak të pakujdesisë apo mosinformimit nga guida lokale të përfundojnë deri në humbje jete.