
Ivan Gazidis, shefi ekzekutiv i Milanit për katër vite, nga viti 2018 deri më 2022, ka dhënë një intervistë për "Business of Sport". Në pritje të publikimit të plotë, këtu është një vrojtim i rëndësishëm i fjalëve të Gazidis mbi përvojën e tij të mëparshme te kuqezinjtë:
"Momenti më ikonik sportiv në të cilin jam përfshirë, për mua mbetet fitimi i titullit kampion me Milanin. Imazhet e festës në rrugët e qytetit nuk mund të përshkruajnë se çfarë ishte në të vërtetë. I gjithë qyteti i Milanos ishte në shesh dhe ne nuk mund të lëviznim thuajse fare me autobusin sipër të cilit po festonim.
Pesë orë për të kaluar pak më shumë se një kilometër dhe përfunduam në ‘Piazza del Duomo’, në qendër. Kushdo që ka qenë atje nuk do ta harrojë kurrë atë ditë për pjesën tjetër të jetës së tij".
Ndërkohë, i intervistuar nga mikrofonat e "Gazzetta dello Sport", Mauro Tassotti, një ikonë e kuqezinjve, ka folur për Milanin dhe fushatën e transferimeve të kësaj vere. Ish-lojtari i "Djallit" në fakt shpjegoi se prurjet e reja në skuadrën e drejtuar nga Stefano Pioli janë shumë cilësore:
"Përforcimet e kësaj vere janë të një cilësie shumë të mirë. Po mendoj për Reijnders, i cili ka lehtësi të madhe në leximin e lojës, apo Pulisic, që tashmë e njihnin njëri-tjetrin. Blerje pozitive konsideroj edhe Chukwueze e Okafor.
Nëse rigjen qëndrueshmërinë mbrojtëse të vitit të titullit, kuqezinjtë do të rivalizojnë Napolin dhe Interin. Serie A nuk ka ekipe perfekte. Napoli ka ndryshuar trajner, Inzaghi ka humbur Lukakun dhe Dzekon…”